“Kërdi” me gjobat në trafik, policia ia mbushë kuletën Komunës së Prishtinës

Në mbushjen e arkës së Komunës së Prishtinës është duke kontribuar mjaftë shumë edhe Policia e Kosovës.

Lajme

13/07/2018 09:29

Ligji i ri për kundërvajtje në trafik nuk është duke dhënë efektet e veta për parandalimin e aksidenteve në trafik, por gjobat e larta po bëjnë që të mbushët buxheti i komunave.

Gjobat e shqiptuara në trafik në  këtë gjashtëmujorë nga Policia e Kosovës ia tejkaluan planin vjetor  Komunës së Prishtinës, shkruan lajmi.net.

Sipas Planit vjetorë të të hyrave të Komunës së Prishtinës, që i ka parë lajmi.net, nga 1 janari deri me 30 qershor, nga gjobat në trafik, Komuna e Prishtinës përfitoi të hyra në vlerë prej 630 mijë euro. Ndërsa, autoritet komunale në planin vjetorë kishin planifikuar që nga kjo kategori të kenë të hyra në vlerë prej 400 mijë eurove.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar nga kjo kategori Prishtina kishte të hyra në vlerë prej 238,558.50 eurove.

Nga 1 janari i këtij viti ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Kundërvajtje. Me këtë ligj, Policia e Kosovës mund të gjobitë  shkelësit deri në 500 euro personat fizik ndërsa ata juridik deri në 1000 euro./Lajmi.net/