Projektligji për FSK-në gjatë javës i dërgohet Qeverisë
Dratfligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, pritet të dërgohet në qeveri gjatë kësaj jave.
Lajme
Të paktën kështu ka thënë drejtori i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në ministrinë e FSK-së, Ibrahim Shala.
Shala ka thënë se me Ministrinë e Financave do të harmonizohet plani buxhetor, kurse Ministria e Integrimeve do ta jap pëlqëimin për harmonizimin e draftligjit me legjislacionin e BE-së.
“MFSK në përputhje me Strategjinë Legjislative të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Planit Veprues të MFSK-së, me kohë i ka bërë kërkesat tek Ministria e Financave për Deklaratë Financiare të kostos buxhetore si dhe dhënies së pëlqimit nga Ministria e Integrimeve Evropiane, që draftligjet janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së”, ka thënë Shala për lajmi.net.
Ai ka bërë të ditur se Ministria e Financave do ta harmonizoj kornizën e shpenzimeve për vitet 2019-2021.
“Aktualisht pritet që Ministria e Financave, ta harmonizoj së shpejti me KASH-in (Korniza Afatmesme e Shpenzimeve për periudhën 2019-2021) të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, shtoi Shala.
Ministria e FSK-së pas përmbylljes së gjithë këtij procesi, pritet që gjatë kësaj jave ta dërgojë në qeveri projektligjin.
“Sipas premtimeve që kemi nga këto dy ministri, Draft Ligjet e kompletuara gjatë kësaj jave do të dërgohen në Qeveri”, thuhet në përgjigjen e Ibrahim Shalës.
Çështja e Ushtrisë ka mbetur tash e sa kohë peng i Listës Serbe, pasi kjo e fundit nuk po i voton ndryshimet kushtetuese.
Disa herë ka pasur premtime se në vitin 2018 Kosova do ta ketë Ushtrinë. /Lajmi.net/