Edi Rama nis ditën me Mogherinin
Kryeministri i Shqipërisë, Edin Rama në mëngjesin e sotëm ka pritur në takim Federica Mogherinin, përfaqësuesen e lartë për Punë të Jashtme në Bashkimin Evropain.
Lajme
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Rama ka shkruar se ditën e ka filluar me shtrëngim duarsh me mikën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Mirëmëngjes, dhe me këtë moment duarshtrëngimi me një mike të madhe të Shqipërisë e shqiptarëve, e cila zbriti mbrëmë në vendin tonë menjëherë pas dhënies së rekomandimit për çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.
Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë në BE dhe zv/Presidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, ka mbërritur në Tiranë.
Vizita e saj në vendin tonë është pjesë e turneut në Ballkanin Perëndimor, nga 17 deri më 19 prill.
Të mërkurën Mogherini do të takohet me Presidentin Ilir Meta (09:30), me Kryeministrin Edi Rama (10:15), si dhe me përfaqësuesit e opozitës (12:00, në Delegacionin e BE-së).
Mogherini do të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama në orën 11:15, në Kryeministri.