Pika Zero

Duket që një humnerë dallon qëndrimet e Kosovës dhe Serbisë se çka duhet të jetë Asociacioni/ Bashkësia e komunave me shumicë serbe.

Opinion

12/04/2018 09:38

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës i dha fund të gjitha kalkulimeve dhe spekulimeve për procesin e inicimit të ndërmarrjes së draftimit të Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kryeministri Haradinaj, ftoi Ekipin Menaxherial (të rikompozuar në vitin 2016), që në bashkëpunim me Ministrinë e pushtetit lokal dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë, të fillojë përgatitjen e këij Statuti.

Në ndërkohë, përfaqësuesit e Zyres së Kryediplomates Mogherini, bënë me dije që Statuti i Asociacionit/ Bashkësisë, duhet të jetë në përputhje me Ligjet e Kosovës dhe me Udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Vetë Zonja Mogherini, në adresimin e saj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në majin e vitit 2016, e pati thënë qartë që Asociacioni/ Bashkësia, nuk do të ketë pushtet ekzekutiv, nuk do të jetë nivel i tretë i qeverisjes, dhe Statusi i tij, duhet të merr parasyshë edhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Megjithë ‘dykuptimësive pozitive’ të cilat rëndom përcjellin të gjitha Marrëveshjet e kësaj natyre, në të gjitha Dokumentet e dialogut të Brukselit, nuk ka fare dyshim që Asociacioni/ Bashkësia, do të duhej të krijohej në Kosovë në bazë të Kornizës ligjore të Kosovës. Ky nuk është mendim vetëm i Prishtinës dhe Brukselit, por edhe i Washingtonit, Berlinit dhe të gjitha kryqendrave perëndimore.

Organizimi i pushtetit në Kosovë, për shkaqe të njohura që kanë një histori të gjatë  (dhe këtu nuk është as vendi dhe as koha për tu marrë me to), është goxha kompleks, i ndërlikuar, në vijim të synimit të përbashkët të autoriteteve supreme negociatore të Kosovës  (gjatë Procesit të Vjenës), Presidentit Ahtisaari dhe Grupit të Kontaktit, që komuniteteve pakicë në shtetin e Kosovës, veçmas komunitetit serb, t’i ofrohen të gjitha garancitë legale, si në nivelin e pushtetit qendror  (në Kuvend dhe në Qeveri, ashtu edhe në atë të pushtetit lokal  (dhjetë komuna me shumicë serbe), për t’i akomoduar interesat dhe nevojat e veta në shtetin e ri të Kosovës. As atëherë, dhe as tash, autoritetet kosovare dhe as faktori ndërkombëtarë, nuk kanë mundur të përfillin dhe as nuk duhet fare të mirren me adresimin e interesave të Serbisë në Kosovë. Tek e mbrama, dihen ‘Rregullat e lojës’ evropiane sa i përket procesit të integrimit të Serbisë në BE: Nëse Serbia dëshiron të hyjë në Evropë, ajo duhet të dalë nga Kosova, me të gjitha strukturat që i ka, e të cilat kanë funksionuar në Kosovë, që prej qershorit të vitit 1999, ndryshe, në kundërshti të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ky është zatën ai momenti që ka trajtën e një humere që dallon qasjen dhe politikën e Kosovës (por edhe të Brukselit dhe kryeqendrave evropiane), dhe Serbisë kur flitet për krijimin e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Këto dallime u panë më qartë se kurrë pikërisht ditëve të fundit, në deklaratat e zyrtarëve më të lartë të Serbisë.

Për autoritetet kosovare, Asociacioni/ Bashkësia e komunave, është një strukturë që rrjedhë nga Pakoja e Presidentit Ahtisaari, nga Kushtetuta e Kosovës dhe nga ligjet në fuqi. Kjo strukturë poashtu, ka mandat të ditur: Ajo do të duhej ta ndihmonte funksionimin sa më të mirë të mundshëm të komunave me shumicë serbe, në një numër të kompetencave të tyre. Asociacioni/ Bashkësia pra, nuk ka të bëjë fare me të drejtat kolektive të komunitetit serb, të cilat ndryshe, siç u theksua tashmë, janë trajtuar dhe adresuar si duhet në Pakon e Presidentit Ahtisaari, me garancat për përfaqësimin e denjë të këtij komuniteti në të gjitha shkallët e pushtetit të Kosovës, dhe në të gjitha institucionet e saja.

Për autoritetet e Serbisë, Asociacioni/ Bashkësia duhet pikërisht të jetë strukturë që përfaqëson serbët si komunitet, apo, ai duhet të bëhet një entitet i mirëfilltë legal dhe politik, të cilit do t’i subordinohen të gjitha format tjera të reprezentimit të komunitetit serb në pushtetin e Kosovës.

Për Beogradin zyrtar pra, Asociacioni/ Bashkësia duhet të bëhet qendër kryesore politike dhe legale e komunitetit serb në Kosovë.

Për Prishtinën zyrtare, Asociacioni/ Bashkësia duhet të jetë një mekanizëm shtesë që siguron funksionimin më të mirë të komunave apo të pushtetit në nivelin lokal.

Nuk ka ‘dykuptimësi pozitive’ që mund t’i relativizojë dallimet themelore në mes të  Prishtinës dhe Beogradit në këtë aspekt.