Prokurori i caktuar në dy seanca, dështon gjykimi ndaj zyrtarëve të institucionit financiar “Lesna”

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, nuk ka arritur të mbahet seanca kundër zyrtarëve të institucionit financiar “Lesna”, Ardian Jonuzi dhe Berat Hasani, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Lajme

10/04/2018 14:48

Prokurori Ismet Ujkani, ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në këtë seancë, pasi ai është i caktuar në të njëjtën kohë edhe në një seancë tjetër.

Si pasojë e kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Halili, njoftoi se seanca e ardhshme do të mbahet më 20 prill 2018, me fillim nga ora 10:00.

Ndryshe, Ardian Jonuzi dhe Berat Hasani, po akuzohen nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, se në cilësinë e analistëve të kredive në institucionin jo bankar “Lesna”, dega në Mitrovicë, kanë nënshkruar kontrata në emër të kredi marrësve, me ç’rast kanë mundësuar lidhjen e kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale, ku vlera e tërësishme e përfitimit të personave të tjerë arrin shumën prej 55.500 euro.

Përkatësisht, Jonuzi akuzohet se ka mundësuar lidhjen e gjithsej 48 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 46.800 euro dhe se ka nënshkruar vetë 33 kontrata në emër të kredi marrësve.

Ndërsa, Hasani po ashtu akuzohet se në emër të kredi marrësve ka mundësuar lidhjen e gjithsej 3 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 8.700 euro.

Vepra penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 i KPRK-së, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet./betimiperdrejtesi.com