Policia e konfirmon deportimin e shtetasve turq /VIDEO

Familjarë të gjashtë shtetasve turq, të arrestuar të enjten në Kosovë, kanë pritur me orë të tëra të premten në mbrëmje para aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” për të marr përgjigje nëse familjarët e tyre ndodheshin në aeroport.

Lajme

31/03/2018 10:53

Policia e Kosovës e ka konfirmuar për lajmi.net se qytetarët turq janë deportuar në Turqi të enjten në orën 11:05 minuta.

“Policia e Kosovës  informon opinionin se: qytetarët turq të cilëve i është revokuar leje qëndrimi në Kosovë janë larguar me aeroplan nga Aeroporti i Prishtinës në ora 11:05 minuat të datës 29/03/2018”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

Lajmi.net ka sjell pamje ekskluzive kur të  arrestuarit shihen duke kaluar nga zona VIP e aeroportit të Prishtinës, për t’u deponuar me pas në Turiq.

“Ne sigurojmë opinionin publik se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave, përgjegjësive të saj konform mandatit të saj Kushtetues dhe Ligjor”, thotë Krasniqi.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, nuk kanë qenë në dijeni dhe nuk kanë poseduar informacion se çfarë ka ndodhur konkretisht me të arrestuar, së paku kështu janë deklaruar para familjarëve (ku i priti në takim kryeministri Haradinaj) dhe para mediave.

Po ashtu, krerët e shtetit nuk kanë qenë në dijeni, siç u deklaruan, se si ka ndodhur arrestimi i gylenistëve. Pas këtij ‘skandali’, kryeministri Haradinaj ka shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefajn dhe Drejtorin e Agjencisë se Inteligjencës së Kosovës, Drilon Gashin.

Të arrestuarit janë identifikuar si Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina. Pesë nga të lartpërmendurit ishin punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë, si dhe një mjek turk në Kosovë. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Lajmi.net sjell pamje ekskluzive të largimit nga Aeroporti të gjashtë turqve