Prokuroria Speciale merr përsipër hetimin për vrasjen e Ivanoviqit
Prokuroria Speciale e Kosovës e ka marrë në kompetencë hetimin për vrasjen e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Lajme
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku.
Millaku tha se vendimin e ka marrë sot ndërsa kjo ka ndodhur “për shkak të kompleksitetit të rastit”.
Deri më tani, hetimin e vrasjes së Ivanoviqit ka qenë duke e bërë një ekip prej dy prokurorëve në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.
Oliver Ivanoviq, kreu i një partie serbe të Kosovës të quajtur Liri, Demokraci dhe Drejtësi, u qëllua para zyrës së tij më 16 janar dhe vdiq më pas në spital.
Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE-së, ata serbë dhe kosovarë.
Ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Ai e deklaroi veten të pafajshëm.