Nesër bëhet hapja zyrtare e Festivalit Olimpik PyeongChang 2018 dhe Panairit të Sportit Prishtina 2018
Komiteti Olimpik i Kosovës nesër (e hënë) do të bëjë hapjen zyrtare të Festivalit Olimpik PyeongChang 2018, që prej tri ditësh ka filluar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Sport
Krahas Festivalit, do të bëhet edhe hapja e Panairit të Sportit Prishtina 2018, i cili po ashtu do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”. Të dyja këto aktivitete hapen solemnisht në ora 11:00, derisa të njëjtat do të organizohen edhe me rastin e shënimit të 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Pjesëmarrës në hapjen e të dy aktiviteteve, të cilat do ta “pushtojnë” sheshin kryesor të Prishtinës, do të jetë edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi, kurse pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe personalitete tjera të larta.
Në Panair, pritet të marrin pjesë dhjetëra klube të kryeqytetit, të cilët gjatë tërë ditës do të shfaqin ofertat e tyre para nxënësve të shkollave fillore.
Ndërkohë, në Festivalin Olimpik, në tri ditët e para mbi 1 mijë fëmijë kanë performuar në sportet e patinazhit dhe kërlingut.
KOK-u është bërë Komiteti i nëntë Olimpik në botë që organizon një festival të tillë madhështor, pas shteteve të fuqishme si: Italia, Franca, Belgjika, Holanda, Sllovenia, Republika e Çekisë, etj. Festivali po mbahet krahas Lojërave Olimpike Dimërore PyeongChang2018, të cilat po përcillen në ekranin gjigant të vendosur skaj aktiviteteve.