Platforma ime si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje*

Të falemnderit Albulenë. Këto lavdata aq shumë më obligojnë saqë ma marrin vetëbesimin për këtë fjalim që kam përgatitur, mirëpo, ky vetëbesim më kthehet porsa mendoj që në VETËVENDOSJE! kemi gra aktiviste si Albulena.

Lajme

13/01/2018 20:30

Të dashur aktivistë e anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
Të dashur anëtarë të kryesisë, nënkryetarja Fatmire, Sekretari Baca Ismajl, Kryetari i Grupit Parlamentar Glauk, deputetë të tjerë Kuvendit të Kosovës, kryetarë të komunave e asamblistë të kuvendeve komunale anembanë Kosovës,
Të nderuar Shaban e Resmije Xheladini, Kadri Balaj, Xhemile e Avni Dehari, Arlinda e Arta, prindër e bashkëshorte të Arbenit, Astritit, Monit, e Arbnorit,
Të nderuar të pranishëm,

Jemi në prag të zgjedhjeve të reja të brendshme të Lëvizjes sonë e cila e dëshiron demokracinë në Kosovë dhe e praktikon demokracinë te vetja. Zgjedhja e kryetarit është zhvillim i rëndësishëm në kuadër të përcaktimit tonë për të qenë bashkë në organizim dhe bashkë në drejtim.

Më vjen keq që nuk do të kemi edhe një platformë tjetër të ndokujt tjetër që më kundërshton. Kam shpresuar që do të ketë edhe kandidatë të tjerë për kryetar, por, kjo nuk varej prej meje. Ndonëse, ashtu sikurse që disa kandidatë nuk janë garanci për zgjedhje demokratike, njësoj edhe një kandidat nuk tregon mungesën e saj. Në njërën anë, vullneti dhe entuziazmi i anëtarësisë së VETËVENDOSJE!-s dhe organeve të Lëvizjes duhet të shprehet në përcaktimin e tyre të lirë, ndërkaq, në anën tjetër, statuti ynë demokratik e kërkon pikërisht një gjë të këtillë tash.

Zgjedhjet për kryetar po mbahen më së shumti një muaj më herët, sepse, kaq ishte koha që i kishte mbetur ish kryetarit deri në fund të mandatit atëherë kur dha dorëheqje. Me këtë rast, dua ta falenderoj Visar Ymerin për udhëheqjen e drejtimin gati trevjeçar të Lëvizjes, për punën e kontributin e angazhimin e vazhdueshëm të tij, shumë të dobishëm e shumë të vlefshëm për Lëvizjen tonë. Visari është anëtar në Lëvizje, bashkë me neve; Visari është deputet i VETËVENDOSJE!-s në Kuvend, bashkë me neve. Unë gjithmonë e kam çmuar dhe e çmoj mendimin e Visarit si në rrafshin politik e ideologjik, po ashtu edhe në atë institucional e praktik. Visari rregullisht është konsultuar me mua sa ka qenë kryetar kur unë nuk isha më, kështu do të bëj edhe unë – do të konsultohem me të, për interesin e përgjithshëm të Lëvizjes dhe të mirën për të gjersa ecim së bashku.

Janë tri shtylla mbi të cilat qëndron si në themele subjekti ynë:

1. Emri ynë jemi ne. Ne që lëvizim për të vendosur vetë qytetarët. Në parim, e drejta për vetëvendosje demokratike të popullit të Kosovës, është e drejta që ky popull të shprehet për shtëpinë e vet, se a e do Republikë a Monarki, a e do bashkë me Shqipërinë a jo. Brenda kërkesës për realizimin e kësaj të drejte pozicioni subjektiv i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është për Republikë dhe për Bashkim me Shqipërinë, si e drejtë qytetare dhe njerëzore, në frymën e bashkimit të kontinentit tonë evropian, si nevojë ekonomike, e sigurisë dhe kulturës të të gjitha shtresave të shoqërisë sonë. Serioziteti ynë është vendimtar për t’i bindur partnerët ndërkombëtarë që të jenë bashkëpunues me neve në këtë projekt, i cili është edhe në të mirë të rajonit.

2. Programi ynë e bën zhvillimin. Ai vazhdimisht është përmirësuar e përditësuar. Kështu do të jetë edhe në vijim. Një program jodogmatik por shumëdoktrinor, ku fokusi është te nevoja për zhvillim ekonomik, për mbrojtje të prodhimit vendor deri në mundësinë për të konkurruar (përparësia krahasuese), për luftim të pabarazisë me solidaritet dhe rishpërndarje, për sektor privat në të cilin konkurrenca dhe bashkëpunimi nuk mohojnë njëra-tjetrën, për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, për ruajtjen e mjedisit, gjithnjë sipas modeleve të socialdemokracisë evropiane.

3. Ne përbëjmë organizatën tonë. Zhvillimi i një organizate transparente, ku çfarë thuhet, bëhet, sipas statutit e me rregullore. Një organizatë që ka vend për njerëz me mendime të ndryshme, që nxit kritikat konstruktive dhe i dënon provokimet, shpifjet e sidomos abuzimet prej atyre me pozitë të lartë ndaj atyre me pozitë më të ulët, një organizatë që vlerëson faljen si dhe kërkim-faljen, një organizatë që promovon vetëpërmbajtje të aktivistit i cili duhet të jetë shembull për qytetarin. Dhe, për fund, një organizatë që i kushton rëndësi leximit e studimit e shkencës, pra dijes, artit e kulturës, pra edhe shijes përveçse dijes, sepse një aktivist apo politikan i pakulturuar, i paditur, zhvillon komplekse të cilat dëshpërueshëm orvatet t’i shërojë përmes pushtetit.

Këto pra janë themelet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të cilat edhe nëse nuk i arrin, është gjithnjë në përpjekje për t’i arritur, edhe nëse nuk i përsos, është gjithnjë në përpjekje për t’i përsosur. Për sa kohë Lëvizja me efikasitet i shtyn përpara këto tri ide, ajo është një organizim me rëndësi historike për shqiptarët, e jo thjesht një subjekt politik i radhës.

Çështja gjinore

Organizata jonë përballet me të njëjtat probleme që i përjeton edhe shoqëria jonë e gjerë. Ndër problemet më shqetësuese, është diskriminimi gjinor. Këtë problem nuk mund të pretendojmë ta zgjidhim në shoqëri, nëse nuk e zgjidhim në organizatë.
Jam i vetëdijshëm se nuk ekzistojnë receta përfundimtare për zgjidhjen e këtij problemi, i cili ekziston edhe në vendet më të zhvilluara e të emancipuara të botës. Megjithatë, nuk mund të rrimë pasivë, si Lëvizje, ndaj fyerjes dhe abuzimit që nënkuptohet prej pabarazisë.
Kosova nuk do të fitojë me Lëvizjen nëse Lëvizja nuk është e grave po aq sa e burrave, sepse edhe Kosova duhet të jetë e grave po aq sa e burrave.
Hapa fillestarë, por urgjentë në këtë drejtim janë këto:

– Funksionalizimi i komisionit disiplinor, ose themelimi i një komisioni për çështje gjinore, i cili specializohet në shqyrtimin e çështjeve të kësaj natyre, dhe në disiplinimin e tyre. Seksizmi në momentin që bëhet cenim i integritetit fizik e moral të dikujt, duhet ndëshkuar pa u falur.
– Edukimi i vazhdueshëm përmes Sekretariatit të Gruas Aktiviste në bashkëpunim me Sekretariatin për Formim Ideopolitik, duke mbajtur takime vetëdijësuese me aktivistë në secilën qendër, trajnime e kurse për gjuhë të huaja, të folurit në publik, duke shpërndarë materiale të përkthyera, e duke nxitur shkrimin dhe diskutimin e temave që lidhen me çështjet gjinore brenda e jashtë organizatës.
– Çdo anëtare e re, pra rishtas e anëtarësuar në VETËVENDOSJE!, për një periudhë fillestare tremujore ta ketë një vajzë ose grua anëtare të mëhershme të Lëvizjes si mentore.
– Nxitja e takimeve të aktivisteve në formën e “sisterhoods” (motëri) në të gjitha Qendrat, me synim krijimin e një komunikimi më të shpeshtë e më cilësor mes tyre, ku fuqizojnë zërin e tyre kolektiv brenda në Lëvizje, shkëmbejnë përvoja, edukojnë njëra-tjetrën, edukojnë edhe djemtë e burrat, si edhe ndikojnë në gjithë Lëvizjen.
– Kod i Sjelljes për të gjithë anëtarët, me theks të veçantë për djemtë dhe burrat, mbi komunikimin dhe shprehjet e papranueshme. Gratë dhe vajzat duhet të kenë ambient pune e diskutimi të sigurt e pa siklet.
– Do të synohet të mbërrihet sa më parë barazia gjinore në punësim, në administratën e Lëvizjes. Në mandatin e ardhshëm Lëvizja duhet ta rishikojnë statutin edhe nga këndvështrimi feminist dhe të kthehet në model për respektimin e barazisë gjinore.

Organizimi i aktivistëve sipas profesioneve e vokacioneve

Organizimit të aktivistëve në baza territoriale e gjeografike (pika dhe qendra) do t’i shtohet edhe organizimi në baza vokacionale e profesionale. Kjo mund të marrë formën e këshillave të aktivistëve (psh. Këshilli i Inxhinierëve të Lëvizjes; Këshilli i Juristëve; Këshilli i Mjekëve; e kështu me radhë).

Përveç evidentimit të kapaciteteve profesionale të anëtarësisë dhe të aktivistëve tanë, kudo që ndodhen, ky organizim i ri do të ketë tri funksione:

a) Të informojë Lëvizjen me dije e të dhëna nga fushat e specialiteteve, sipas profesionit.
b) Të furnizojë me burime njerëzore Lëvizjen në strukturat e saj, sipas nevojës e cila është shumë e madhe, por do të jetë edhe më e madhe në momentin kur Lëvizja hyn në Qeverisje qendrore.
c) Të organizojë takime të rregullta (psh. dy herë në vit) me secilin këshill, në formë të një kongresi profesionistësh, që trajton tema të pikëprerjes së politikës me fushëveprimin e atij profesioni.

Organizimi fillestar i këtyre këshillave do të bëhet nga Qendrat, me koordinim nga Sekretariati i Përgjithshëm, duke filluar prej një skanimi të profesioneve të anëtarësisë sonë, e më pas përmes organizimit të takimeve mes figurave qendrore të Lëvizjes (anëtarë të kryesisë, deputetë etj.) me aktivistët e një profesioni të dhënë, deri në mbledhjen e kongreseve të para profesionale të aktivistëve.

Vullnetarizmi, në ndihmë të shoqërisë

Në një vend të varfër e me përplot probleme, si Kosova, nuk është e mundur që të mos ketë punë për vullnetarë, sidomos për vullnetarët e zellshëm e vetësakrifikues siç janë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Duke qenë se populli ynë ka një moshë mesatare të re, e brenda këtij populli Lëvizja jonë është Lëvizje e rinisë, ne duhet ta vëmë entuziazmin rinor në funksion të shoqërisë.

Në qendrat ku VETËVENDOSJE! është në qeverisje lokale, dmth. në Prishtinë, Prizren, Dardanë, (por edhe Mitrovicë, Vushtrri dhe Klinë), do të synohet përdorimi i ndikimit të Lëvizjes për të ndërtuar Kuzhina Popullore për të varfërit. Këto kuzhina do të administrohen nga vullnetarë dhe aktivistë, të cilët do të mbledhin ushqimin e tepërt nga restorantet apo vetëshërbimet, e njëkohësisht edhe donacionet nga prodhues e afaristë të ndryshëm lokalë.

Në qytetet më të mëdha, Prishtinë, Prizren e Mitrovicë, do të planifikohet ndërtimi i qendrave të vullnetarëve të VETËVENDOSJE!s, synimi i të cilave do të jetë organizimi i përditshëm i punës vulnetare, kryesisht të të rinjve, në ndihmë të individëve e komuniteteve në nevojë. Fokusi i ndihmës do të jetë veçanërisht tek shtresat e varfra, të moshuarit që nuk kanë ndihmë, pakicat e shpërfillura, lagjet e pazhvilluara.

Vullnetarët do të organizojnë mbledhje e shpërndarje të ndihmave nga qytetarët, vetëdijësim për çështje të së mirës publike (higjiena publike, ruajtja e mjedisit, adresimi në institucione i abuzimeve e i nevojave, etj.). Po ashtu, vullnetarët do të kenë hapësirë për të propozuar aktivitetet sipas dëshirës dhe kreativitetit të tyre, që prej atyre zbavitëse, kulturore dhe edukative për veten e tyre dhe për banorët e lagjeve, e deri tek fushatat për pastrimin e mbeturinave apo të borës në dimër.

Në këto qendra të vullnetarëve, aktivistë të cilët kanë aftësi të mësimdhënies do të mund të organizojnë kurse falas për qytetarët e varfër, për gjuhë të huaja, aftësi artistike, e pse jo edhe për ndonjë zanat.

Financat

Lëvizja vazhdon punën e saj falë tri burimeve financiare, e ato janë fondi prej buxhetit të shtetit, donacionet, dhe kontributi i anëtarësisë. Për të bërë sa më shumë punë Lëvizja, por edhe për të patur sa më shumë donacione, është e domosdoshme që shpenzimi i parave të përmbushë tre kritere:

1. Të jetë tërësisht transparent – pra, secili dhurues, apo secila qendër në Kosovë a në mërgatë që e sjell donacionin, të dijë saktësisht se për çfarë do të përdoren paratë që dhuron.

2. Të jetë mbi bazën e kursimit dhe efikasitetit – asnjë blerje nuk duhet të jetë mbi çmimin më të lirë në treg, dhe asnjë material i blerë nuk duhet të shpërdorohet.

3. Decentralizim, si për pagat ashtu edhe për buxhetin. Më shumë buxhet i Lëvizjes duhet të shkojë në qendra, dhe, në vend se të rriten rrogat e pak vetave në kryeqytet, duhet të rritet numri i njerëzve të punësuar nga Lëvizja në të gjitha qendrat anembanë Kosovës.

Do të angazhohemi që shpenzimet për paga dhe për qera të zyrave të jenë nën 50% të buxhetit të përgjithshëm, duke patur si objektiv që të zbresin në 30%. Po ashtu, synim urgjent është rritja e mbledhjes së kontributit të anëtarësisë.

Organizimi i Sekretariatit në të gjitha qendrat
Personat e punësuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! duhet të jenë thuajse barabartë, sa burra aq edhe gra, sa aktivistë të vjetër (me përvojë mbi 5 vjet), aq edhe aktivistë të rinj. Ata duhet t’i përkasin prirjeve, profesioneve e talenteve të ndryshme.

Asnjë detyrë në Lëvizjen VETËVENDOSJE! nuk duhet parë si privilegj apo si pozitë, qoftë ajo detyra e kryetarit, sekretarit a deputetit, por po ashtu asnjë detyrë nuk duhet parë si përulje, qoftë ajo detyra e recepsionistit apo vozitësit. Do të synohet që në Lëvizjen VETËVENDOSJE! të mos ketë hendek të madh pagash, dhe që paga më e ulët për kohë të plotë të jetë jo më pak se një e treta e pagës më të lartë (që është ajo e kryetarit, deputetëve, sekretarit). Kryesia, Grupi Parlamentar dhe Sekretariati i Përgjithshëm duhet ta rrisin shumë ndjeshmërinë për ndjeshmërinë e aktivistëve nga Qendrat ndaj pabarazive të brendshme.

Detyrat e të gjithëve duhet të jenë të përcaktuara qartë, me përshkrim objektiv të detyrave e të punës. Ata do të bëjnë në çdo muaj një vlerësim të punës së vetvetes, të cilin do t’ia paraqesin sekretarit organizativ të qendrës së tyre. Në çdo gjashtë muaj do të bëhet një vlerësim i punës së tyre nga sekretari organizativ i qendrës, dhe në krye të secilit vit do të vendoset se a meriton vërejtje, lëvdatë, apo edhe ndryshim të detyrës, sipas rezultateve të arritura.

Vlerësimi është i domosdoshëm, po ashtu është e domosdoshme edhe përgjegjësia e disiplina, por kjo nuk do të thotë ashpërsi. Shpesh mungesa e rezultatit në punë vjen për shkak se nuk është përputhur aftësia e personit me rolin e punës, e kjo fillimisht do të synohet të zgjidhet me gjetjen e një roli tjetër të punës që përshtatet më shumë me aftësitë e personit, e jo me largimin e tij të menjëhershëm. Në Sekretariatin e Përgjithshëm mund të shqyrtohet mundësia që të ngarkohet me detyrë në kohë të plotë dikush që studion dhe administron politikat tona të burimeve njerëzore.

Pozitat e larta në Lëvizje, siç janë ajo e Kryetarit, Nënkryetarit, Sekretarit Organizativ, Deputetit etj. do të jenë të rregulluara në mënyrë strikte sipas rregullores dhe statutit, që të kenë sa më shpesh vendimmarrje kolegjiale e të kontrolluar prej forumeve si Këshilli i Përgjithshëm e Kryesia, e sa më rrallë vendimmarrje individuale, mundësisht vetëm në raste urgjente e në raste të administrimit të punëve të përditshme, sipas parashikimit. Kompetencat vendimmarrëse politike e organizative, duhet të jenë gjithnjë e më shumë të forumeve kolektive. Nuk na duhen pushtete të forta as brenda në Lëvizje, as jashtë saj.

Qendrat tona në Mërgatë duhet të riorganizohen në kuadër të ndryshimeve statutore. Nuk mund të jenë qendrat tona në Gjermani a Zvicër me status të njejtë në statut sikurse qendra në një komunë të Kosovës me disa mijëra banorë e disa dhjetëra aktivistë. Po ashtu, organizimi dhe veprimtaria e Qendrave tona në komunat ku kemi kryetarin ose bashkëqeverisim, është e ndryshme prej atyre ku vazhdojmë të jemi në opozitë.

Forumet politike

Mbledhjet e forumeve politike do të jenë në afatet e rregullta ose edhe më shpesh. Kështu, mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm do të mbahen së paku çdo tre muaj, mbledhjet e Kryesisë së Lëvizjes do të mbahen një herë në javë, dhe mbledhjet e aktivistëve e të punonjësve të Sekretariatit do të mbahen po ashtu një herë në javë.

Mbledhjet nuk do të funksionojnë si monologje apo si ligjërata, ku një person nga lart flet e të tjerët nga poshtë dëgjojnë. Mbledhjet janë pika kyç e politizimit të ndërsjelltë, aty duhet nxitur që secili ta japë mendimin e vet, duke folur e duke votuar. Në mbledhje do të diskutohen çështje të aktualitetit, e do të merren mendime e qëndrime e vendime (sipas statutit).

Diskutimet e brendshme në Lëvizje duhet të jenë sa më të shpeshta. Heshtja midis aktivistëve tregon ose konformizmin e tyre që i bën ata robotë ndaj udhëheqjes, ose pakënaqësinë e ndrydhur në rritje që shpërthen më vonë. Ne duhet të gabojmë sa më shumë me njëri-tjetrin që të gabojmë sa më pak me qytetarët e kundër regjimit. Nuk ka aspak rëndësi nëse ndonjëherë themi diçka të pamençur ose të pasaktë duke folur e diskutuar. Dialogu e komunikimi i brendshëm bëhet ngritje e dobi për të gjithë e secilin.

Që mbledhja të ketë efikasitet, duhet të zhvillohet edhe një kulturë e diskutimit të kulturuar. Duhet synuar prej secilit që ta përgatisë një herë me shkrim, atë që do të komunikojë më pas me gojë, që të kursejmë kohën e që të jemi më efikasë. Dhe, nuk ka mësim pa tekst. Përmirësimi është tekst i përmirësuar.

Zyrat e Lëvizjes

Zyrat e Lëvizjes i kanë tri funksione: ato janë adresë ku qytetarët vijnë të kërkojnë ndihmë; ato janë qendër ku aktivistët e vullnetarët mblidhen që të kalojnë kohën në mënyrë të dobishme; ato janë vend pune për punonjësit e sekretariatit të qendrës. Me përjashtim të zyrave në Prishtinë e në ndonjë qendër tjetër, zyrat e Lëvizjes në shumë qendra nuk reflektojnë imazhin e duhur. Objektiv i yni është që zyrat e Lëvizjes kudo të karakterizohen nga një pamje e paqtë, e pastër, e rregullt, në formën e një ambienti të punës dhe të vullnetarizmit. Kjo nuk do të thotë luks, por nuk do të thotë as pajtim me ambiente të lëna pas dore e të parregulluara. Zyrat duhet të jenë të pajisura me kompjuterë e me mjete të domosdoshme pune, të cilat mund t’i sigurojmë edhe përmes dhuratave nga mërgata.

Aktivisti

Aktivisti i VETËVENDOSJE!-s është:
– I organizuar dhe aktiv. Organizimi pa aktivitet bëhet burokraci. Aktiviteti pa organizim bëhet kaos.
– Krenar dhe modest. Krenaria pa modesti bëhet mendjemadhësi. Modestia pa krenari bëhet dorëzim.
– I dashur dhe rigoroz. Rreptësia pa dashamirësi bëhet arrogancë. Dashamirësia pa rreptësi bëhet lazdrim.
– I vendosur dhe analitik. Nuk ka vlerësim e gjykim pa studim dhe analizë. Gjykimi pa studim është teke arbitrare. Studimi pa gjykim është pavendosmëri dërrmuese.
– I zemëruar dhe me shpresë. Zemërimi pa shpresë bëhet hakmarrje. Shpresa pa zemërim
bëhet dëshprim.
– I mësuar dhe debatues. Mësimi pa debat bëhet vetëmbyllje. Debati pa mësim bëhet
llafazani.
– Punëtor dhe i aksionit. Puna pa aksion të mërzit. Aksioni pa punë të bën dembel.

Të nderuar të pranishëm,
Pastërtia morale e aktivistit të Lëvizjes nuk është thjesht qëllim por sidomos mjet. Pastërtia është vlerë në dritën e një synimi që e kemi, jo vlerë në vetvete. Njeriu mund ta ketë edhe si një lloj prirjeje që mjetin ta kthejë në qëllim. Ne nuk duhet ta fetishizojmë mjetin duke e bërë qëllim dhe nuk duhet të obsesionohemi me pastërtinë tonë. Te aktivizmi ynë, aktivisti politik yni nuk duhet të shihet si subjekt i dezinfektuar, si punëtor barnatoreje. Neve nuk na duhet aktivisti politik si subjekt higjienik e sanitar. Le ta kemi të qartë që kurdo që ta marrim pushtetin duhet ta kemi ndërgjegjen të pastër, por vaj halli nëse nuk i përlyejmë duart.

Duhet ta ruajmë pastërtinë, por mos ta kuptojmë atë si qëllim në vetvete. Nëse e shohim pastërtinë në atë aspekt bëhemi egoistë, dashurohemi në vetvete. Pra, ne i duam parimet jo pse janë parime por pse besojmë që na çojnë te qëllime të vlefshme e rezultate të dobishme. Të përpiqesh ta ruash Lëvizjen VETËVENDOSJE! në njëfarë parimësie të ngurtë të saj, do të thotë t’i tradhëtosh qëllimet e saj. Ne i besojmë vetes tonë, ne i besojmë vetvetes. Ne kemi bërë kompromise taktike për të ecur drejt qëllimit tonë e jo kompromise me parimet për përfitime individuale.

Megjithatë, ata që nuk e kuptojnë kompromisin taktik në të kaluarën e VETËVENDOSJE!-s, mund të mendojnë se “parimi vdiq”, e pastaj të lëshohen në nihilizëm, apo në një situatë ku gjithçka (që ata bëjnë) bëhet e justifikueshme. Kjo është të kalosh nga ekstremi, në ekstrem, pra nga qëndrimi se asnjë parim nuk duhet shkelur (që të pamundëson taktikën), tek qëndrimi se asnjë parim nuk duhet mbajtur (që të pamundëson strategjinë).

Pra, ndërkohë që themi se nuk duhet të kemi frikë nga vetja, e duhet t’i përlyejmë duart duke (dhe për) të mbajtur ndërgjegjjen e pastër, në të njëjtën kohë themi edhe se aktivisti është në qendër të vëmendjes së publikut, dhe metafora e “përlyerjes së duarve” vlen vetëm atëherë kur është e domosdoshme për hir të Lëvizjes si kolektiv, e kurrë për hir të pasioneve apo interesave të ngushta.

Aktivisti duhet të jetë i vetëpërmbajtur, si në momentet kur punon, ashtu edhe në momentet e kohës së lirë, shoqërore apo familjare. Një aktivist që tejkalon masën me sjellje të caktuara, tregon pandjeshmëri për qytetarët, por edhe dëmton Lëvizjen, e për këtë gjë duhet të mbajë përgjegjësi.

Aktivistët nuk guxojnë të shpenzojnë më shumë kohë me njerëzit e regjimit sesa me njëri-tjetrin, dhe, nuk guxojnë të shpenzojnë më shumë kohë me njëri-tjetrin sesa me popullin. Ne duhet të merremi shumë më tepër ME qytetarët e paorganizuar sesa KUNDËR njerëzve të regjimit.

Lëvizja duhet t’i udhëheqë njerëzit duke i bindur dhe duke dhënë shembuj. Brenda organizatës, udhëheqësi nuk është ai që duhet ta ndjekim, por ai që i shërben dhe i ndihmon më së shumti organizatës e grupit për t’i realizuar qëllimet.

Edhe udhëheqësi është aktivist. Udhëheqësi është udhëheqës i organizatës, jo i idesë. Ai udhëhiqet nga ideja që është e organizatës. Organizata prodhon aktivistë që udhëheqin, karakteristikat e të cilëve janë: motivimi i të tjerëve, integriteti personal, vetëbesimi, aftësia studiuese dhe analitike, dija e përgjithshme e posaçërisht ajo e Programit Politik dhe Alternativës Qeverisëse të VETËVENDOSJE!-s, të qenit i hapur për përvoja të reja dhe të qenit komunikativ me aktivistët dhe popullin. Jo vetëm udhëheqësit, por edhe idetë duhet që të bashkojnë, e jo vetëm të udhëheqin. Idetë udhëheqëse që nuk bashkojnë njëkohësisht, përfundojnë te udhëheqësit individualistë.

Nga aktivizmi nuk guxon të pasurohesh materialisht pavarësisht mundësive e shanseve. Përderisa je në politikë, nuk duhet të jesh më i pasur sesa kur nuk ishe në politikë. Pra, është e domosdoshme që pasuria e politikanëve të Lëvizjes të mos rritet me kalimin e kohës. Madje është e preferueshme që të bëhesh më i varfër duke qenë në politikë. Por, kurrsesi më i pasur.

Sekretariati për Medie dhe Komunikim

SMK do të rritet në kapacitete njerëzore e në kompetenca. Ky sekretariat nuk do të jetë më në varësi të Sekretarit Organizativ, por në varësi të Kryesisë së Lëvizjes. Do të propozohet ndryshimi i statutit që Sekretari për Media dhe Komunikim të jetë pjesë ex-officio e Kryesisë (njësoj si SMJ).

Organizata i përpilon parullat e javës dhe parullat e muajit. Duhet të ecim shpejt, sepse ne themi teori e romane për regjimin kurse njerëzit e tij shpifin me parulla për neve.

Organizata është përgjithësisht komunikim dhe logjistikë. Duhet ta kemi organizimin e fuqishëm në Lëvizjen tonë, sepse përndryshe humbim, por, megjithëkëtë, nuk duhet të fitojmë për shkak të organizimit të fuqishëm. Fitorja duhet të jetë fitore e idesë sonë, e konceptit tonë.

Aktivistët e VETËVENDOSJE!-s nuk duhet të marrin pjesë vetëm në emisionet televizive qendrore dhe politike. Sa më shpesh duhet të jemi të pranishëm me shpjegimet e idetë tona edhe në televizionet lokale si dhe në emisionet e ndryshme kulturore, shoqërore e argëtuese. Emisionet politike i shikojnë zakonisht ata që tashmë janë të pozicionuar politikisht duke pasur interesa të caktuara dhe aty mund të ketë fare pak lëvizje.

Ne shpesh flasim vetëm për qytetarin e Prishtinës, me gjuhën e mënyrën e tij. Duhet ta kemi parasysh gjithë Kosovën, gjithnjë e më shumë. Ne duam të kuptohemi, ne duam të na kuptojnë, prandaj, duhet t’i kuptojmë njerëzit që duan të na kuptojnë. Duhet të komunikojmë aktivisht me qytetarët. Të jemi komuni-aktiv.

Komunikimi i brendshëm në Lëvizje me anëtarët e saj është jo më pak i rëndësishëm sesa ai i jashtmi me qytetarët. SMK, në bashkëpunim me Koordinatorin për Qendrat, në mediet sociale duhet të ndërtojë shtigje e forume të mbyllura të komunikimit e informimit për aktivistët tonë sipas përgjegjësive të tyre dhe temave tona.

Komunikimi mund të jetë nga lart-poshtë dhe nga poshtë-lart. Një pjesë e tij i dendur ku shumë anëtarë komunikojnë me shumë anëtarë dhe një pjesë i rrallë ku shumë anëtarë komunikojnë me disa anëtarë. Diku ai duhet të jetë i centralizuar e diku i decentralizuar. Komunikimi bën shpërndarjen e informatave duke ndërtuar kuptimin e përbashkët për situatat, ngjarjet dhe objektivat aktuale.

Problemet në komunikimin midis aktivistëve duhet t’i shqyrtojë Sekretariati i Përgjithshëm. Ato shpesh janë pasojë e karaktereve të ndryshme që reflektohen te (mos)gatishmëria për mospajtim, sedra e lënduar, koha e nevojshme për besueshmëri, përkufizimi i (pa)qartë i argumenteve etj.

Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë
Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë duhet të rritet me kapacitete që të përballojë tri detyra të cilat janë të trija të rëndësishme e të vështira për t’u administruar nga një njeri i vetëm. Ato tri detyra janë: zhvillimi dhe përmirësimi i marrëdhënieve me partnerë politikë e partiakë në vendet e huaja e me faktorët e organizatat ndërkombëtare; Rritja e bashkëpunimit me organizata, shoqata, sindikata e subjekte të tjera, në bazë të aktiviteteve apo synimeve politike; Administrimi i protokollit të pritjeve të vizitave prej personaliteteve në Lëvizje, apo i vizitave të përfaqësuesve të Lëvizjes në pritje, takime e ceremoni të ndryshme.

Synimi i Lëvizjes është internacionalizimi i kauzës sonë kombëtare e njëkohësisht rritja e marrëdhënieve e partneritetit me forcat socialdemokrate por edhe forcat e tjera mike e progresiste, në Evropë e në botë.

Por, po ashtu, synim i Lëvizjes është krijimi i fronteve shoqërore, politike e opozitare, kundër fenomeneve të rrezikshme për vendin e shoqërinë tonë, që shpesh shkaktohen nga pushtetet e ndryshme që veprojnë në Kosovë: ato qendrore e lokale, vendore e ndërkombëtare, politike a ekonomike.

Sekretariati për Formim Ideopolitik

Dy tipe të shkollës politike i nevojiten VETËVENDOSJE!-s, njëra dyvjeçare me psh. 20 aktivistë të përzgjedhur (filozofi, ekonomi politike, sociologji, psikologji, antropologji) e tjetra njëvjeçare me psh. 200 aktivistë (Alternativa Qeverisëse, argumentet për qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s, shpjegimi i konceptit, strukturës, historikut dhe mënyrave të Lëvizjes). Tek të gjithë aktivistët duhet të zhvillohen aftësitë reprodukuese të diskursit, programit dhe qëndrimeve tona. Duhet t’i lidhim vlerat socialdemokrate, në njërën anë, me kulturën tonë kombëtare, e në anën tjetër, me metodat organizative të Lëvizjes sonë. Shkolla politike e VETËVENDOSJE!-s nuk duhet të merret me aktivistët që t’i bëjmë ata militantë intelektualë dhe të kufizohet tek ata. Por, të merret sidomos me ata që u anëtarësuan dhe ende s’janë bërë aktivistë.

VETËVENDOSJE! duhet ta afirmojë Rilindjen Kombëtare, të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX. Ta riaktualizojë atë si frymë e përgjithshme dhe si shumësi tekstesh të rilindasve tanë, nga Sami Frashëri te Fan Noli.

Lëvizja duhet të jetë njëkohësisht edhe shkollë edhe parlament, sikurse teatri epik i Bertolt Brechtit. Lëvizja duhet të bëhet shkollë: mësuesi mëson nxënësit që të bëhen mësuesa. Lëvizja duhet të bëhet parlament: aktivistët i bashkon diskutimi i vazhdueshëm. Shkolla Politike duhet t’i zbulojë pyetjet e duhura socio-ekonomike, politiko-institucionale, kulturore-historike ku populli është përgjigja. Sepse Lëvizja VETËVENDOSJE! është shprehje e popullit si rezistencë dhe koncept i popullit si zgjidhje.

Nuk bën të kemi kritikë pa programe ashtu siç nuk bën të kemi as programe pa kritikë. Studimi kritik konsiston tek hulumtimi dhe analiza e temave dhe çështjeve. Ndërkaq programi te teoria, filozofia politike dhe te zgjidhjet konkrete. E majta, socialdemokracia, shteti zhvillimor, tatimi progresiv, sigurimet shoqërore, bashkimi kombëtar, aksioni direkt, protestat, PDK-ja, LDK-ja etj. duhet të sqarohen në maksimum gjysëm faqe tekst secila për t’u mësuar masivisht nga secili anëtar e gradualisht edhe më thellë e më gjerë se aq.. Dhe, duhet ta kemi një tekst të ilustruar se kush është Lëvizja VETËVENDOSJE!: historiku, koncepti, qëndrimet dhe metodat. Dhe, një tekst tjetër po ashtu të ilustruar të shkurtër për historikun dhe aktualitetin e Kosovës e të kombit shqiptar.

Shumë prej atyre që bëhen anëtarë në Lëvizjen VETËVENDOSJE! jo vetëm që nuk janë aktivistë, por disi ende nuk janë as anëtarë. Anëtarësimi i tyre ishte formal në fillim dhe më pas ai duhet bërë përmbajtësor. Kjo vlen edhe për qytetarët në përgjithësi, të cilët nuk janë thelluar aq te koncepti e programi ynë. Detyrë e Shkollës Politike është t’i urëzojë këto hendeqe.

Rregullisht, së paku dy herë në muaj do të organizohen diskutime gjysëmformale në Lëvizje ku ndonjëri bën një prezantim për një temë dhe mandej të tjerët diskutojnë hapur. Kafet, çaji dhe uji janë falas. Komitetet dhe Shkolla Politike përfshihen në këtë. Shkolla politike edhe edukon përveçse mëson e arsimon. Këtij Sekretariati mbase duhet ndryshuar emërtimi, psh. në Sekretariati për Emancipim Progresist.

Përmbyllje

Nga Manifesti te Programi Politik dhe nga Programi Politik te Alternativa Qeverisëse. Ky është rrugëtimi konceptual i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i cili ka ndryshuar sepse është thelluar e është zgjeruar. Demokracia në institucione e në shoqëri, sovraniteti në shtet dhe territor, prodhimi e punësimi në ekonomi, drejtësia e ligji për barazi, kontributi e përkujdesja për mirëqenie, janë të radhitura në 20 kapitujt e Alternativës sonë Qeverisëse. Nga idetë te kritika, nga kritika te qëndrimet dhe nga qëndrimet te zgjidhjet. VETËVENDOSJE! vazhdimisht ka ecur përpara pa nostalgji për të kaluarën, pa melankoli në të tashmen dhe me vetëbesim drejt së ardhmes. Me një vetëbesim që nënkupton se e ardhmja nuk është një stacion që na pret, por e ardhmja është një hapësirë që e krijojmë dhe një kohë që e fitojmë.

– Për sovranitetin e Kosovës deri në të drejtën për bashkim.
– Për socialdemokraci, shtet të drejtë e zhvillimor e me mirëqenie.
– Për demokraci të brendshme e të jashtme, përballje të argumentave, kritikë të pandalshme konstruktive dhe respektim të kontributit të gjithsecilit.
– Për luftë ndaj korrupsionit, abuzimeve e diskriminimeve të çdo natyre, qofshin gjinore, hierarkike, krahinore, moshore, apo të shtresës ekonomike.

Për realizim të idealeve të dëshmorëve, për drejtësi për Monin, Arbenin e Astritin, për liri për Frashërin, Atdheun dhe Egzonin!

Gjithmonë në Lëvizje. Gjithnjë bashkë.

Më 21 janar janë zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen VETËVENDOSJE! për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Duke besuar në shoqëri e në komb e në qytetari, në Lëvizje e në shtet, në punë e në dije, kërkoj besimin tuaj!

Ju falemnderit.

(Fjalimi i Albin Kurtit në shpalosjen e platformës si kandidat për kryetar të VV-së)

*Titulli është i redaksisë