Trump ka një mesazh për Shqipërinë dhe shtetet që e kundërshtuan vendimin e SHBA-së në OKB

Sa mund t'i kushtojnë Shqipërisë vota kundër presidentit amerikan Donald Trump në OKB?

Bota

22/12/2017 08:20

Një përgjigje është dhënë nga vetë presidenti i SHBA-ve. Trump ka thënë para votimit se Uashingtoni ka mundësi të ndalojë financimet për vendet që votojnë kundër tij dhe mes tyre u pozicionua edhe Shqipëria.

 Sipas CNN, në një mbledhje të kabinetit të tij të mërkurën, Trump ka thënë lidhur me votimin: “Ne po i shikojmë ato vota. Le të votojnë kundër nesh, ne do të kursejmë shumë, nuk na intereson”.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar këtë të enjte në favor të draft rezolutës për të kundërshtuar vendimin e Uashingtonit, me të cilin e njeh Jerusalemin kryeqytet të Izraelit.

128 vende anëtare kanë votuar pro, mes tyre dhe Shqipëria, 35 kanë abstenuar dhe 9 vende të tjera kanë dalë kundër rezolutës.

Në një deklaratë zyrtare të shpërndarë për mediat, Ministria e Jashtme sqaroi se Shqipëria ka mbajtur të njëjtin pozicion si vendet e BE.

“Vota jonë sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë çështje.

Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër te konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit e saj te linjëzuar me Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.