80 vjeçari, tifozi special i derbit Gjilani – Drita

Nuk ka sjellë fitues derbi lokal më i madh në Kosovë mes Gjilanit dhe Dritës që përfundoi pa gola 0-0.

Sport

03/12/2017 17:33

Tifozët e të dyja skuadrave kishin mbushur shkallët e stadiumit duke krijuar një atmosferë fantastike por në fund nuk panë lojë të mirë pasi fusha ishte tejet e rënduar.

Tifozi më special në këtë ndeshje, ishte një i moshuar 80 vjeçar, që ndoqi nga afër këtë ndeshje.

Ky tifoz, përkundër rivalitetit të madh që ekziston mes Dritës dhe Gjilanit, ka vendosur të mbështesë të dy skuadrat, për të dërguar mesazh dhe dashuri për këtë derbi dhe për futbollin.

Ai mbante shallet e të dyja skuadrave, ndërsa bëri edhe një foto së bashku me ekipet para fillimit të takimit.

Ky moment, ka marrë vëmendjen e kryetari të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili në Facebook është ndjerë krenar që qyteti i tij ka një derbi të tillë dhe një tifoz kaq të respektuar.

Shkrimi i Lutfi Hazirit në Facebook:

Nuk ka rast tjeter në Republikë me i pa tifozët prej moshës pesë e deri në 80 vjeç n’stadion, pos n’Gjilan.

Se Gjilani asht kryeqytet i sportit e arsyetoi sot derbi ma i madh lokal në futboll, Gjilani-Drita, i cili përfundoi me rezultat të bardhë dhe u karakterizue me fair-play në fushë e me atmosferë të jashtëzakonshme nga dy tifozeritë.

Urime për lojën futbollistëve, kryesisë së dy klubeve dhe Skifterave e Intelektualëve për afmosferën impozante.

Tashmë po e ndërtojmë stadiumin ma t’mirë në Republikë dhe jam shumë krenar që po iu krijojmë mundësi e kushte ma t’mira futbollistëve të tana moshave dhe tifozëve!/Lajmi.net/