Tri fjali për Një konfuzion
E kemi bërë zakon, në politikë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri që të luajmë me nocione të mëdha politike. Kështu ishte edhe në Mbledhjen e dy Qeverive në Korçë.
Lajme
Mbledhja e katërt e përbashkët e Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë që u mbajt në Korçë, u konkludua me dymbëdhjetë marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi, teksa porosia kryesore e saj ishte motoja: Një Popull. Një Tokë. Një Ëndërr.
Rezultati konkret kësaj Mbledhjeje mund të matet lehtë me përmbajtjen e Dokumentit final ku janë të përfshira të gjitha dakordimet e arritura në mes të Qeverive të dy shteteve të pavarura.
Rezultati abstrakt i kësaj Mbledhjeje, me gjasë do të duhej t’i referohej kësaj porosie namëmadhe, për një popull, një tokë dhe një ëndërr. Teksa në ato dymbëdhjetë marrëveshjet dhe memorandumet flitet për diasporën, ambientin, certifikatat e veterinarisë, këtu, në këtë porosi kemi pretendime apo ambicje të qarta politike, të cilat megjithatë, siç e kemi bërë zakon në te dy anët e kufirit (për shumë çështje), mbesin në një zonë të paqartësisë dhe mosidentifikimit të mirëfilltë politik.
Çka në të vërtetë kanë synuar të na thonë Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë me këtë porosi të shkruar në tri fjali? Si duhet ta lexojnë qytetarët e zakonshëm të këtyre dy shteteve këtë porosi? A është ky një varg poetik, një motiv i pastër artistik, një hyrje në një këngë të re patriotike (e cila mund të komponohet saora duke ditur zellin e shtuar të kompozitorëve shqiptarë), a është një deklaratë politike që i rri mirë shënimit të Ditës së pavarësisë së Shqipërisë (dhe Ditës së flamurit), a është simulim verbal i bashkimit kombëtar, apo është paralajmërim që sot e tutje, Qeveritë në Prishtinë dhe në Tiranë do të ndërrojnë drejtimin e përgjithshëm politik, dhe do t’ia mësyjnë që ta bëjnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë?
Pyetje të këtij lloji mund të bëhen sa të duash, në përpjekjet që nuk mund të përmbyllen dot si duhet, pa marrë interpretimin e vetë autorëve të kësaj porosie.
Mbase nuk janë të paktë ata qytetarë të cilët kur do t’i lexojnë këta rreshta, apo, edhe nëse do të pyeteshin për domethënien e këtij mesazhi, do të thonin që nuk duhet marrë edhe aq seriozisht të gjithë këtë rrëfim që ishte kryefjala politike e Mbledhjes së Korçës. E kemi bërë zakon, në politikë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri që të luajmë me nocione të mëdha politike, varësisht prej disponimit dhe nevojës, gjithsesi duke i shkuar për shtati interesave afatshkurtër, prandaj, njëlloj sikur që zyrtarët në këto raste vishen me kostumet dhe kollaret më reprezentative, më të bukura, ashtu edhe fjalët që i shkojnë për shtati këtyre ngjarjeve duhet të jenë kumbuese, drithëruse, ndriçuese, rrezatuese.
Pra, sipas këtij interpretimi, nuk duhet marrë me seriozitet të madh (por me sportivitet të lehtë), këtë kryekallëzim nga ballafaqimi korçar i Qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Por ja që Qeveritë e dy shteteve, me vetë mandatin që kanë, me detyrat dhe obligimet e tyre ligjore, kushtetuese dhe politike, janë të thirrura të jenë tej mase serioze dhe të qarta, madje, qind për qind precize dhe plotësisht të arsyeshme kur vendosin të na thonë diçka të tillë nga piadestali i një takimi të këtij lloji.
Shkurt e shqip, nuk bën të bëhet lojë politike në këtë mënyrë.
Këtu mbase nuk vlenë të analizohet mosdija e autorëve të kësaj porosie kryesore, sepse nocionet/ dukuritë e popullit dhe kombit në sociologji dhe në politikë dallojnë shumë, apo, ato nuk janë sinonime, siç ka mundur të mendojnë ata që kanë përmbledhur në tri fjalë të shkurtëra kryemesazhin e takimit të Kryeministrave dhe Ministrave të dy qeverive.
E tëra natyrisht, në atë variantin më të qëndrueshëm, me gjasë, mund të jetë vetëm një flirt i kryepolitikanëve qeveritarë të Shqipërisë dhe të Kosovës me idenë e bashkimit të dy shteteve, por as ky variant nuk i bën më serioz, më të mençur dhe më të qëndrueshëm këta politikanë. Përkundrazi.
Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë gjithsesi kanë pse të takohen, kanë çka të flasin, dhe kanë çka të mirren vesh. Bashkëpunimi i këtyre dy shteteve në ekonomi është tutje fare modest, në politikë karakterizohet me improvizime të lloj-llojshme, në diplomaci mbizotërohet nga protokolli. Kosova për shkaqe të njohura për të gjithë është një rrëfim i pakryer si shtet, sepse nuk kemi arritur ende të bëhemi anëtar në OKB. Shqipëria, në anën tjetër, duhet sa më parë të hyjë në BE.
Këto janë interesat jetike të Prishtinës dhe Tiranës.
(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)