Bytyqi vlerëson ndihmën e KE-së në sektorin e arsimit
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka pritur në takim një delegacion të Komisionit Evropian, të kryesuar nga Mary Teresa Moran, zëvendësudhëheqëse e Njësitit për Kosovë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësi Evropiane dhe Zgjerim , me të cilën ka biseduar lidhur me agjendën e Bashkimit Evropian për arsimin në Kosovë dhe çështjet me interes të përbashkët në këtë fushë.
Lajme
Ai ka vlerësuar lartë ndihmën që Komisioni Evropian ka dhënë në sektorin e arsimit, ndërkaq ka bërë të ditur se është duke u bërë vlerësimi i gjendjes së përgjithshme në arsim, në mënyrë që të ndërmerren hapa të sigurt për ndryshime.
Ministri i Arsimit po ashtu ka folur në detaje për hapat që MAShT do të ndërmarrë për përmirësimin e kualitetit në arsim, duke përmendur profilizimin e mësuesve nga klasa parë deri në klasën e pestë, orientimin e nxënësve të shkollave të mesme të ulëta në bazë të rezultateve që arrijnë gjatë shkollimit, harmonizimin e arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës, ndërkaq ka ritheksuar se pikë kyçe e qeverisjes është aplikimi i mësimit tërëditor.
Ndërsa, përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Mary Teresa Moran, ka falënderuar ministrin Bytyqi për pritjen ku u bisedua për arritjet e deritanishme dhe orientimin e politikave arsimore në të ardhmen, duke ditur se, arsimi është në qendër të angazhimeve të Bashkimit Evropian.