Vetëvendosje shpreson tek Apeli për rastin e aktivistëve
Gjykata Themelore e Prishtinës i shpalli sot fajtor katër aktivistët e Vetëvendosjes për sulmin ndaj kuvendit. Ata u dënuan në total me 21 vjet e 6 muaj burg.
Lajme
Frashër Krasniqi me 8 vjet, Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burgim.
Për këtë vendim deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca, thotë se do të ankohen në Gjykatën e Apelit.
“Vetëvendosja do t’i drejtohet edhe Gjykatës së Apelit”, ka thënë Konjufca në Info Magazine.
“Apeli e merr parasysh vlefshmërinë e provave – besoj se Apeli do ta rrëzojë këtë vendim skandaloz dhe të pa mbështetur në asnjë provë”.
“Jam i bindur që Apeli nuk do ta gjejë asnjë provë që lidhet më rastin”.
Konjufca ka thënë se ky vendim është i qëllimshëm.
“Pse vetëm dy ditë para balotazhit, normalisht që të dëmtohet Vetëvendosja”.
“Por do të dalim edhe më e fort pas këtyre rasteve, sepse jemi mësuar me burgosje, vrasje dhe persekutim”.
“Ky pushtet që është i mbështetur në krim dhe korrupsion e lufton Lëvizjen Vetëvendosje për ta shkatërruar”.