Hoxhaj: Kemi kohë të aplikojmë për anëtarësim në UNESCO
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në një prononcim për “Epokën e re”, ka thënë se Kosova ka ende kohë për aplikim për anëtarësim në UNESCO.
Lajme
Kjo deklaratë e Hoxhajt, ka ardhur pas asaj të presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili ka thënë se Kosova ende nuk ka aplikuar për UNESCO. “Gjatë vitit të kaluar dhe sivjet kam vizituar shumë vende, me ç’rast kam takuar shumë ministra të jashtëm, kryeministra dhe presidentë, prej të cilëve kam kërkuar mbështetjen e tyre për t’u bërë pjesë e Interpolit dhe UNESCO-s. Në Interpol e kemi aplikimin nga viti i kaluar, ndërsa sivjet mbahet Asambleja e Interpolit, e cila do të duhej të merrte vendim për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Sa i përket UNESCO-s, sikurse te Interpoli, i kemi votat e nevojshme që të bëhemi pjesë e kësaj organizate. Ndërsa, koha për aplikim është e mjaftueshme, meqë nga muaji shtator, tetor dhe nëntor, ndodhin fazat vendimtare kur aplikimi i ynë vendoset në agjendë, pra kur mbahet takimi përmbyllës dhe kur votohet. Kështu që, kemi kohë të mjaftueshme për të aplikuar”, është shprehur Hoxhaj.