Berisha: Fatos Rizvanolli nuk ka të bëjë me Zeqirja Qazimin
Besnik Berisha, avokati i Fatos Rizvanollit tha se gjykata nuk vendosi drejt kur dënoi të mbrojturin e tij për rekrutim në terrorizëm.
Lajme
Gati pesë muaj pasi ishte dënuar me 7 vjet burg nga Gjykata në Ferizaj për vepra që lidhen me terrorizëm, Fatos Rizvanolli u paraqit para Gjykatës së Apelit duke pretenduar se ndaj tij u bënë shumë shkelje procedurale.
Pasi dëgjuan referimin e rastit nga anëtari i Kolegjit të Apelit, Driton Muharremi, avokati Besnik Berisha paraqiti një varg shkeljesh për të cilat pretendon se iu bënë Rizvanollit.
Berisha tha se Gjykata në Ferizaj në aktgjykimin e saj ka thënë një të pavërtetë.
“E shihni që citohet në aktgjykim, thotë aktgjykimi i Zeqirja Qazimit dhe të tjerëve të cilët janë shpallë fajtorë për vepra penale të terrorizmit e të cilët janë në bashkëkryerje me Fatos Rizvanollin. Kjo me thanë shqip është rrenë, e me thanë ma butë nuk qëndron, sepse në aktgjykimin e Zeqirja Qazimit nuk përmendet emri i Fatos Rizvanollit askund”, tha Berisha.
Berisha tha më tej se gjykata nuk po i trajtojnë si duhet rastet e terrorizmit.
“Siç duket është krijuar një komoditet në gjykatat, të paktën të shkallës së parë që kurdo që flitet për vepra penale të terrorizmit, nuk shtrydhen provat dhe faktet siç duhet e aq më pak nuk respektohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale e që në rastin konkret janë evidente”, tha avokati Berisha.
Berisha më tej në fjalën e tij tha se prokurori i rastit ka mbledhur prova pas përfundimit të afatit të hetimeve.
Në seancë ndonëse nuk mori pjesë asnjë prokuror, përmes ankesës prokuroria ka kërkuar rritjen e dënimit për Rizvanollin dhe refuzimin e ankesës së Berishës.
Berisha më tej në fjalën e tij tha se aktgjykimi i Gjykatës së Ferizajt është bazuar në deklaratën e Ilir Berishës, të cilën vetë trupi gjykues e kishte shpallur të papranueshme.
“Pa një pa dy e sheh në aktgjykim atë deklaratë komplet. Gjykata mbetet pa argumente, pa prova dhe e merr një deklaratë dhe e interpreton në formën siç ja merr mendja dhe këtë të drejtë e ka por e ka të ndaluar ta administrojë si provë”, tha Berisha.
Në fund Berisha kërkoi nga Gjykata e Apelit që ta lirojë të mbrojturin e tij, apo së paku rastin ta kthej në rigjykim./kallxo.com