Qeveria e re, partitë në konsultime brendapartiake
Përbërja e kabinetit qeveritar do të dihet vetëm pas kthimit të mandatarit, Zoran Zaev nga Brukseli thonë nga Lidhja social-demokrate pa dhënë detaje nëse tri partitë shqiptare kanë vendosur të jenë pjesë e qeverisë apo nëse ndonjëra prej tyre ka caktuar emrat e ministrave të rinj.
Lajme
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se kjo parti do të drejtoj kryesisht ministritë që ka pasur edhe në qeverinë me VMRO DPMNE-në me përjashtim të ministrisë së arsimit e cila do të zëvendësohet me dikasterin e shëndetësisë e cila do ti kaloj LR PDSH-së. Kreu i integristëve Ahmeti nuk ka zbuluar emrat e ministrave të partisë së tij duke thënë se debati po zhvillohet për përzgjedhjen e kuadrove më të mirë, por siç mëson Alsat debati është përcjell edhe me polemika mes lobeve të ndryshme për pozita më të forta në ekzekutiv
“Akoma nuk ka ndonjë emërim konkret, akoma jemi duke u konsultuar që të shohim të bëjmë një zgjedhje sa më të pranueshme. Nuk mund të them tani se kush është më i mirë sepse tani kuadrot janë kuadro dhe secili ka përparësitë e veta dhe siç thotë populli behanet e veta”, deklaroi kryetar i BDI-së Ali Ahmeti.
Ahmeti gjithashtu theksoi se në programin e qeverisë së re nuk do të përfshihet në tërësi Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare, por vetëm pikët kryesore siç janë integrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE dhe përmbushja e reformave urgjente prioritare.
Nga ana tjetër nga Lëvizja Besa thonë se ende nuk kanë vendosur për pjesëmarrjen ose jo në qeveri në pritje të përgjigjes së Zaevit lidhur me kërkesat e saj për mos përfshirjen në qeveri të personaliteteve të inkriminuara, zbatimit deklaratës së përbashkët të partive shqiptare dhe përfshirjes së pikave të programit të saj në atë të punës së qeverisë. Siç mëson Alsat në rast të përgjigjes pozitive një nga resorët që mund të drejtoj Besa është edhe ai i drejtësisë.
Ndërkohë, Kryesia Qendrore e LR-PDSH-së pas takimit të Kryesisë Qendrore, që është mbajtur nën kryesimin e Sekretarit Gjeneral të kësaj partie Arben Taravari, në mënyrë unanime kanë autorizuar grupin e punës të negocioj me mandatarin Zoran Zaev për pjesëmarrjen në qeverinë reformatore. Megjithatë, siç thuhet në kumtesën e LR-PDSH-së, vendimi final për pjesëmarrjen në qeverinë e re do ta ketë Kryesia e ngushtë e partisë. Në rast të përgjigjes pozitive partia e Selës në qeverinë e re do të drejtoj dikasterin e shëndetësisë, një postë të Zv/ministrit dhe një Zv/kryeministër. Qeveria e re në bazë të afateve kushtetuese duhet të votohet më së voni deri më 6 qershor kur edhe skadon afati prej 20 ditësh për formimin e kabineti nga mandatari Zoran Zaev.