Profsorët nuk u përmbahen orareve për konsultime me studentët
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) publikoi sot të gjeturat nga monitorimi i konsultimeve të profesorëve të Fakultetit Filozofik, Ekonomik dhe Juridik.
Lajme
Të dhënat nga hulumtimi i realizuar nga ORCA paraqesin një situatë dramatike të disiplinës akademike në Universitetin e Prishtinës (UP), ku me shumë pak përjashtime, pjesa dërrmuese e profesorëve në fakultetet e monitoruara nuk u përmbahen orareve të përcaktuara për konsultime me studentët.
Gjithashtu, janë vërejtur edhe një sërë parregullsish ligjore dhe procedurale nga fakultetet në fjalë, lidhur me dispozitat që përcaktojnë mbajtjen e konsultimeve.
Gjatë këtij hulumtimi është monitoruar puna e 86 profesorëve, duke përfshirë vetëm ata që kanë shpallur në dyert e tyre orare për konsultime. Nga këta profesorë, 50 kanë munguar në 70% deri në 100% të konsultimeve të monitoruara. 16 prej tyre kanë munguar në 50% deri në 70% të konsultimeve të monitoruara, ndërsa 20 profesorë kanë munguar në më pak se 50% të konsultimeve.
Vlen të theksohet se nga numri total prej 86 profesorësh të monitoruar, 34 prej tyre nuk kanë mbajtur asnjë konsultim, ndërsa vetëm 7 prej tyre i kanë mbajtur të gjitha konsultimet e programuara (në masën 100%). Duke i ndarë të gjeturat sipas fakulteteve përkatëse, nga 31 profesorë të Fakultetit Filozofik, 18 prej tyre kanë munguar në 100% të termineve të monitoruara, dhe vetëm një ka munguar në më pak se gjysmën e termineve.
Në Fakultetin Juridik, nga 15 profesorë të monitoruar 6 kanë munguar në 100% të termineve të monitoruara, dhe vetëm 3 profesorë kanë munguar në më pak se gjysmën e termineve të monitoruara.
Ndërsa në Fakultetin Ekonomik, nga 40 profesorë të monitoruar, 10 kanë munguar në 100% të rasteve, dhe 16 kanë munguar në më pak se gjysmën e termineve të konsultimeve të monitoruara.
Gjatë këtij hulumtimi janë parë informatat lidhur me oraret e konsultimeve të secilit profesor, në formë elektronike të shpallura në uebfaqen zyrtare të universitetit, si dhe informatat fizike të shpallura në dyert e zyrave të profesorëve.
Asnjë nga fakultetet e monitoruara nuk e ka pasur orarin e konsultimeve të publikuar në uebfaqen zyrtare të UP-së, edhe pse ato janë të obliguara sipas një njoftimi të datës 30.10.2015 nga rektorati i UP-së. Sipas njoftimit në fjalë, “të gjitha njësitë akademike obligohen që t’i publikojnë në uebfaqet e tyre… orarin e konsultimeve të stafit akademik”.
ORCA ka ofruar dhe rekomandime për përmirësimin e procesit të konsultimeve. Ato përfshijnë përpilimin e rregulloreve të brendshme të fakulteteve që përcaktojnë terminët e konsultimeve, si dhe zbatimin e këtyre termineve nga profesorët.
Një rekomandim tjetër i rëndësishëm është që të respektohet Vendimin Nr. 2/901 i Këshillit Drejtues që i obligon profesorët të jenë në hapësirat e universitetit nga ora 8:00-16:00 sipas orarit zyrtar të punës./Lajmi.net/