Dy kompani humbin betejën në Gjykatën e Apelit me shoqatën e qumështarëve për vajin e palmës
Kompanitë e prodhimeve të qumështit “Magi Ice” dhe “Abi” kanë marrë edhe një përgjigje negative nga Gjykata e Apelit, pas vendimit të Gjykatës së shkallës së parë në kërkesën e tyre për “ndalim i menjëhershëm i transmetimit përmes mediumeve apo mjeteve të komunikimit të informacioneve të cilat e dëmtojnë produktin e importuar “vaji i palmës”, i cili është importuar nga propozuesit e sigurimit”.
Lajme
Këtë ndalesë këto dy kompani kanë kërkuar që t’i bëhet kompanisë konkurrente “Ajka”, drejtori i së cilës është njëherësh edhe kryetar i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës.
Kjo shoqatë dhe kryetari i saj Ramadan Memaj kanë ngritur zërin vazhdimisht kundër përdorimit të pakontrolluar të vajit të palmës në produktet e qumështit . Kundërshtimi i këtij produkti ishte intensifikuar sidomos pas raportit të Agjencisë Evropiane të Ushqimit EFSA, e cila ka zbuluar se vaji i palmës ka veti kancerogjene dhe gjenotoksike.
Dy kompanitë e lartëcekura më 2 shtator 2015 kishin parashtruar padi për dëmshpërblim dhe kishin propozuar caktimin e masës së sigurimit, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të transmetimit përmes mediumeve apo mjeteve të komunikimit të informacioneve që dëmtojnë produktin e importuar “vaji i palmës”.
Gjykata e shkallës së parë më 27 mars 2017 e kishte refuzuar kërkesën e tyre për caktimin e masës së ndalimit, ndërsa ndaj këtij vendimi “Magic Ice” dhe “Abi” kishin bërë ankesë, e cila u refuzua edhe nga Gjykata e Apelit më 15 maj 2017. Avokimi kundër vajit të palmës i kishte shkaktuar edhe më herët probleme Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, ku disa nga kompanitë anëtare e kishin akuzuar Ramadan Memajn se po i mbron konsumatorët më shumë sesa anëtaret e shoqatës, ata madje kishin organizuar një kuvend për ndërrim statuti, përmes të cilit ishin munduar që të ndërrojnë edhe kryetarin. Por këtë kuvend dhe vendimet e tij i kishte hedhur poshtë më pas Ministria e Administratës Publike, duke e konfirmuar Ramadan Memajn kryetar të kësaj shoqate.
Ndërkohë, Shoqata e Qumështarëve të Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj AUV-së si dhe kunder disa kompanive vendore për mospërmbushje të obligimeve ligjore në kontrollimin dhe ndalimin e vajit të palmës.
Nga importi i pakontrolluar i kësaj lënde më së shumti janë dëmtuar fermerët kosovarë, të cilët përmes Shoqatës së Fermerëve të Kosovës kanë bërë apel disa herë dhe janë ankuar se ekzistenca e tyre është në rrezik.
Kujtojmë se së fundi edhe Parlamenti Europian ka votuar një rezolutë përmes së cilës ndalon komplet importet e vajit të palmës për tregun evropian, gjë që i vërteton shqetësimet e Shoqatës së Qumështarëve lidhur me vajin e palmës .