Viktimat dhe heronjtë e sulmit terrorist në Manchester (Video)
Kelly Brewster e mbrojti mbesën me trupin e saj, gjatë shpërthimit vdekjeprurës në Manchester. Pjesëtarët e familjes shpresuan deri në momentin e fundit, që ajo të ishte e shtruar në spital, por policia konfirmoi mbrëmjen e së martës se 32-vjeçarja nuk ia kishte dalë dot mbanë.
Bota
Vdekja e 8-vjeçares Saffie Rose Roussos, viktima më e re në moshë e sulmit të së hënës, të copëton zemrën. E ëma e saj 48-vjeçare, Lisa, e plagosur rëndë dhe e shtruar në Reanimacion, nuk e di ende se e bija nuk jeton më.
Marcin dhe Angelika Klis po prisnin të merrnin fëmijët nga koncerti. Alexi dhe Patricia mbijetuan. Edhe prindër të tjerë u vranë në të njëjtën mënyrë. Lisa Lees dhe Alison Howe kishin shumë merak t’i linin fëmijët e tyre të ktheheshin vet.
Listës së viktimave iu shtua dhe 15-vjeçarja Olivia Campbell, nëna e së cilës e kishte kërkuar dëshpërimisht të bijën pas atentatit dhe deri në fund shpresoi që ajo të ishte gjallë. Viktima e parë e identifikuar ishte 18-vjeçarja Georgina Callander, një adhuruese e madhe e Ariana Grande, e cila e kishte takuar këngëtaren në të njëjtën arenë dy vite më parë.
Ajo e së hënës mbrëma në Manchester është një histori dhimbjeje, por që tregoi në të njëjtën kohë se eksplozivi, gozhdët e bulonat nuk e vrasin dot mirësinë. 35-vjeçari i pastrehë, Stephen Jones po flinte në një rrugë pranë stradiumit kur ndodhi shpërthimi, e kujton sesi ka parë me tmerr fëmijë të mbuluar me gjak të dilnin nga “Arena”, e nëna që ulërisnin si të çmendura.
“I hoqëm fëmijëve copa xhamash e gozhda nga krahët dhe fytyra, – rrëfen ai. – Nuk mund të largohesha e t’i lija ashtu. Nuk kam fjetur të gjithë natën për shkak të asaj që pashë”.
48-vjeçarja Paula Robinson, një kalimtare e rastësishme, ka marrë lëvdatat e publikut për gjestin e saj në vazhdën e shpërthimit. Robinson mblodhi rreth 50 të mitur të tmerruar, e u kujdes t’i dërgonte në një vend të sigurtë, e pas kësaj, përmes rrjeteve sociale u përpoq të vendoste kontakte me prindërit.