Shpenzimet për fushatë, sekrete që nga viti 2013

Financat e partive politike në Kosovë vazhdojnë të mbesin jotransparente për publikun.

Lajme

24/05/2017 09:54

Përpos të hyrave që i marrin nga buxheti subjektet politike vazhdojnë t’i mbajnë sekret donatorët e tyre, përkatësisht bizneset që i financojnë ato dhe shpenzimet e mëdha të cilat ndodhin gjatë kohës së fushatës zgjedhore.

Në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve partitë nuk i kanë raportuar të hyrat dhe shpenzimet e tyre që nga viti 2013.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, Adnan Rrustemi, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se subjektet politike janë të obliguara që pas çdo procesi zgjedhor t’i dorëzojnë në KQZ raportet e shpenzimeve të fushatës sikurse janë të obliguara që për çdo vit kalendarik t’i dorëzojnë raportet vjetore.

“Këto raporte në bazë të ligjit duhet të auditohen dhe të publikohen. Fatkeqësisht, për shkak të mungesës së vullnetit politik të mazhorancës së legjislaturës së kaluar këto raporte nuk janë audituar asnjëherë që nga viti 2013”, shprehet Rrustemi.

Madje ai thotë se subjektet politike përveç lëvizjes “Vetëvendosje” nuk i kanë publikuar në uebfaqet e tyre raportet e shpenzimeve, që publiku, sipas tij, të kishte mundësi t’i shihte dhe t’i verifikonte.

“Së fundi, disa subjekte politike pas kërkesës dhe presionit që kishte bërë Zyra e BE-së në Kosovë i kishin publikuar disa nga raportet, por ato asnjëherë nuk janë audituar”, thotë Rrustemi.

Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka thënë se partitë politike janë të obliguara me Ligjin mbi Financimin e Partive Politike që t’i bëjnë transparente të gjitha burimet e financimit, burimet ligjore të financimit dhe ato të lejuar qofshin të brendshme apo të jashtme.

“Fatkeqësisht kemi një situatë kur subjektet politike nuk kanë transparencë të mjaftuar”.

Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe me parti të tjera lidhur me transparencën e financave të tyre, por ka qenë vetëm LVV-ja dhe AAK-ja që kanë pranuar të deklarohen.