Kosova në zgjedhje pa reformë zgjedhore, frikë për parregullsi

Kosova do të shkojë edhe në një palë zgjedhje pa e përfunduar reformën zgjedhore ndonëse një gjë e tillë ishte nisur para 6 viteve.

Lajme

24/05/2017 09:40

Zgjedhjet e 11 qershorit do të mbahen me legjislacion aktual, i cili edhe pse sipas vlerësimit të pjesëtarëve të shoqërisë cilivile mundëson proces demokratik, reforma zgjedhore do të mundësonte zgjidhjen e shumë situatave të cilat nuk parashihen më ligj.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile reforma zgjedhore nuk ka përfunduar deri më tani për shkak se për një gjë të tillë nuk ka pasur vullnet nga partitë politike, shkruan lajmi.net.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se partitë politike kanë zvarritur procesin e reformës zgjedhore duke mos qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e tyre.

“Konsideroj që nuk kanë qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e saj, nuk kanë treguar gatishmëri për kompromise ndërmjet interesave të ndryshme të partive politike, sidomos të partive në pushtet me ato në opozitë, si dhe ka pasur edhe mospajtime të brendshme, pasi individët që kanë pasur fuqi më të madhe, kanë tentuar që reformën zgjedhore ta orientojnë në atë mënyrë që të maksimizojnë rolin e tyre dhe të rrisin gjasat për rizgjedhje, siç është përpjekja për mbyllje të listave të kandidatëve”, ka thënë Krasniqi për lajmi.net.

Ai po ashtu ka treguar disa nga dobitë që do të sjellte reforma zgjedhore.

“Në rast se do të kishte reformë të mirëfilltë zgjedhore, kjo do të ndihmonte jashtëzakonisht shumë për ti dhënë zgjidhje shumë situatave të cilat nuk parashihen me ligj, do të avancohej procesi i administrimit të zgjedhjeve, si dhe përfaqësimi i qytetarëve në institucione do të ishte më i mire”, është shprehur Krasniqi nga KDI.

Edhe Valmir Ismaili nga Demokraci Plus, ka thënë se reforma zgjedhore nuk ka përfunduar për shkak të mungesës së vullnetit nga partitë politike.

Sipas tij, legjislacioni aktual lë mundësi për parregullsi në zgjedhje, nëse partitë do të kishin vullnet për një gjë të tillë.

“Legjislacioni aktual nuk është që nuk garanton mundësi për organizim të rregullt të zgjedhjeve. Megjithatë, ky legjislacion ka disa mangësi të cilat potencialisht mundësojnë parregullësi në zgjedhje, kuptohet nëse partitë do të kishin vullnet për të bërë një gjë të tillë. Lista e votuesve, përkatësisht prania e numrit të madh të personave të vdekur, por edhe e diasporës, lejimi i votës me kusht dhe mangësi tjera që lidhin me administrimin direkt të ditës së zgjedhjeve, janë disa nga sfidat kryesore në aspekt të çështjeve që do të duhej adresuar me urgjencë. Në anën tjetër, krijimi apo jo i zonave zgjedhore, ulja apo rritja e pragut, identifikimi elektronik, etj., janë çështje që më shumë ndikojnë në avancimin e sistemit aktual zgjedhor”, është shprehur Isamili.

Ismaili ka thënë se reforma zgjedhore nuk ndodhë nëse kjo nuk bëhet prioritet i institucioneve dhe nëse e njëjta nuk trajtohet vetëm në prag të zgjedhjeve.

Reforma zgjedhore ishte kthyer në agjendën institucionale në fund të vitit 2016 nga iniciativa e presidentit Thaçi. Kjo nismë e tij ishte bojkotuar nga partitë opozitare. Edhe pse grupet punuese në janarë të vitit 2017 kishin përfunduar propozimet e tyre, Thaçi nuk i dërgoi ato në Kuvend, ndonëse kishte premtuar se në pranverë një gjë e tillë do të përfundojë./Lajmi.net/