Dështon edhe raundi i tretë i zgjedhjes së Presidentit

Është djegur dhe raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë, që kërkonte 3 të pestat e votave.

Lajme

27/04/2017 17:49

Ditën e premte është thirrur raundi i katërt dhe sipas Kushtetutës së ndryshuar, në këtë raund do të mjaftonte një shumicë e thjeshtë.

Por mazhoranca nuk ka ende asnjë emër dhe asnjë propozim as për raundin e katërt.

Duke marrë fjalën në përfundim të raundit të sotëm, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, duke i kërkuar që kësaj çështjeje t’i jepet zgjidhje, ose vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Koha e dialogut ka mbaruar. Duhet të zgjedhim presidentin nga ky Parlament. Sa për dijeni zoti kryetar, ne socialistët i kemi bërë llogaritë tona dhe i kemi 71 votat edhe pa LSI-në, por unë shpresoj të mos na detyroni të shkelim mbi moralin e kësaj force politike. Zoti kryetar, ju takon juve si kryetar i një force politike që jeni vendosur si ndërmjetës e që keni anuar nga pala tjetër të vendosni. Bëj thirrje që të mblidhet Konferenca e Kryetarëve dhe nesër të bëhet jo vetëm një por dy raunde dhe të zgjedhim presidentin ose të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, ka deklaruar Ruçi.

Gjatë fjalës së tij, Ruçi ka akuzuar Metën për lojë të dyfishtë në tryezën me negociatorët gjermanë.

“Gjermanët na kërkuan diçka që në vendin e tyre nuk do ta bënin kurrë, të shtynim zgjedhjet dhe të linim qeverinë. E për çfarë arsyeje? Që të pushojnë të qarat e opozitës, që kërkon penalltinë, topin dhe portën bosh. Ju zoti kryetar u treguat shumë i lumtur në tryezë, kryeministri nuk tha as po e as jo, por la të kuptohet se jemi të gatshëm të diskutojmë, por vetëm me një kusht, që PD të vijë e të votojë vettingun. Pa kaluar as 5 minuta, zoti Basha iku. Zoti Meta, unë pyes, çfarë po ndodh kështu? Njerëzit po shohin se si na merr peng një çadër, që hallin e ka tek vettingu dhe drejtësia dhe përgjigjia është vetëm një, koha e dialogut ka mbaruar”, ka thënë Ruçi.