Mitrovicë: Konfiskohen mijëra litra të vajit hidraulik

Njësia policore në Mitrovicë ka identifikuar rreth 3000 litra të vajit hidraulik të dyshuara si të kontrabanduara.

Lajme

30/03/2017 15:29

Rasti është raportuar në orët e natës së datës 29 mars 2017, në rrugën e ’’UÇK-së” në Mitrovicë, derisa Policia ndaloi për kontroll automjetin transportues, të llojit Pezho, kombi me targa vendore.

Automjeti transportues i dyshuar për kontrabandë me mallra, është identifikuar dhe lokalizuar, pasi zyrtarët policorë kishin ngritur dyshime për lëvizjen e tij në atë segment rrugor.

Në momentin e ndalimit të automjetit, zyrtarët policorë në shikim të parë, gjatë kontrollit fillestar, kanë vërejtur se automjeti transportues, ishte i mbushur me mallra, përkatësisht rreth 3000 litra të vajit hidraulik.

Pas kontrollit të dokumentacionit të paraqitur nga ana e ngasësit të automjetit, Polica ka identifikuar se targat e veturës nuk përputheshin me librezën e veturës, po ashtu është identifikuar se vetura në fjalë u ishte shmangur procedurave doganore.

Automjeti transportues dhe sasia e vajit të dyshuar është sekuestruar nga autoritetet doganore, ndërsa Policia ngasësit i ka shqiptuar gjobë për mosposedim të regjistrimit dhe për keqpërdorim të targave./ Lajmi.net/