AAK-ja nuk i mohon bisedimet me AKR-në

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka thënë se mund të ketë pasur bisedime për një koalicion parazgjedhor AAK – “Nisma” - AKR. Siç është shprehur ajo, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e hapur edhe për AKR-në, edhe për partitë e tjera të vogla.

Lajme

05/11/2016 11:05

“Sigurisht, ndoshta ka filluar ndonjë bisedim. Aleanca me ‘Nismën’ e kanë një koalicion parazgjedhor, por ne jemi të hapur edhe për partitë e tjera të vogla, të cilat duan t’i bashkohen këtij boshti opozitar”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Kadriaj më tutje ka thënë se janë duke punuar që të dalin partia e parë pas zgjedhjeve.

“Po mendoj që jemi bosht i fortë opozitar dhe një bosht që synojmë ta arrijmë fitoren në zgjedhjet e ardhshme. Ne po synojmë dhe po punojmë që të dalim partia e parë”, është shprehur ajo.

Megjithëkëtë, nga AKR-ja nuk kanë dhënë detaje rreth kësaj çështjeje.
Ish-deputetja e kësaj partie, Myzejene Selmani, duke mos e mohuar krijimin e një koalicioni të tillë, nuk ka dashur të flasë për të. Nga ana tjetër i pari i AKR-së, Behgjet Pacolli, për “Zërin” para pak ditësh ka thënë se nuk pranon të hyjë në koalicion vetëm me PDK-në e LDK-në.

“Me dy partitë në pushtet, PDK-në dhe LDK-në, nuk shoh asnjë lloj mundësie për bashkëqeverisje”, deklaroi Pacolli.

Kurse para pak javësh, duke folur për opozitën ai lavdëroi vetëm AAK-në dhe liderin e saj.

“Unë me AAK-në nuk kam marrëdhënie as të keqe, as të mirë. Por gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë më reale në shtetndërtim. Në takimet që kemi pasur për të ardhmen e vendit Ramush Haradinaj ka qenë shumë konstruktiv”, u shpreh ai./ZERI