Ukrainë-Kosovë, nota shkatërruese për trajnerin dhe futbollistët
Kosova u paraqit ndryshe mbrëmë, por përsëri u deklasua.

Sport
Redaksia e Gazetës Olle ka bërë notimin e trajnerit dhe futbollistëve pas ndeshjes kundër Ukrainës, në të cilën Kosova humbi 3:0.
Samir Ujkani 5.5 – Më mirë se ndaj Kroacisë. Ndali disa goditje, por dy prej tre golave i pësoi nga distanca.
Leart Paqarada 4.5 – Krahu i tij i fushës ishte kthyer në një “autostradë ukrainase” sonte. Shumë depërtime të kundërshtarit nga e majta. Në “gjumë” të thellë në momentin e golit të dytë.
Amir Rrahmani 6 – Paraqitje pozitive. Qendra e mbrojtjes sot ishte më e sigurt se ndaj Kroacisë. I pafat në devijimin e topit që zhbllokoi rezultatin.
Alban Pnishi 6 – Me Rrahmanin funksionon më mirë se me Pepën. Disa duele të fituara, por ka vend për përmirësim, sidomos në pozicionim.
Fanol Perdedaj 4.5 – Bashkë me Paqaradën, ai ishte ndër pikat më të dobëta të Kosovës sonte. I pafuqishëm përballë sulmeve ukrainase nga e djathta. Nata për t’u harruar u kulmua me lëndimin e tij dhe largimin nga loja.
Alban Meha 5.5 – I jepte “frymëmarrje” lojës së skuadrës me qetësinë e tij, por në së paku dy-tri raste mund të nxirrte skuadrën shumë më mirë në kundërsulm. Kontributi i tij në pjesën defanzive, për t’u diskutuar.
Hekuran Kryeziu 6 – Për t’u vlerësuar loja e tij. Vrapon dhe lufton për çdo top prapa dhe nxjerrë skuadrën me shumë personalitet përpara. Ndër pikat më të forta të Kosovës.
Valon Berisha 5.5 – Jo në nivelin e tij sepse ka kapacitet për të bërë shumë më shumë. I pavërejtur sonte, mbase edhe për shkak të pozitës (mesfushor i majtë), e cila nuk është natyrale e tij.
Herolind Shala 6 – Diagonale shumë të mira, i shtonte presionin ekipit kundërshtar dhe fuste shpesh skuadrën në mundësi për të rrezikuar portën. Iu afrua edhe barazimit, por i pafat.
Milot Rashica 6.5 – Përsëri më i miri. Shumë lëvizje pozitive nga e djathta në pjesën e parë. Iu afrua i vetëm zhbllokimit të rezultatit, ku u ndal nga portieri mysafir. Evident zhgënjimi në fytyrën e tij pasi që u zëvendësua në pjesën e dytë.
Vedat Muriqi 6 – I fortë fizikisht, fitoi duele në ajër dhe përdori një pikë që e ka shumë të fortë: lojën me shpinë. Më shumë nxori skuadrën përpara në sulm, se që u shërbye për të shënuar.
—
Albert Bunjaku 5.5 – Ndryshimet në mbrojtje rezultuan pozitive. Në mesfushë, ashtu-ashtu… Zëvendësimet nuk i ndezën as sonte. Humbja 3:0 s’lë hapësirë për notë më të madhe. Për fund, sikur ta dinim pse e largoi Milotin?