Gjelosh Gjokaj do të kujtohet nëpërmjet pikturës metafizike

Vdekja e Gjelosh Gjokajt – “Picassos shqiptar” – i ka pikëlluar shumë miq dhe kolegë të tij në Kosovë.

ShowBiz

25/09/2016 17:51

Luan Mulliqi, ish- drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës dhe mik i Gjokajt, konsideron se vdekja e tij ka lënë zbrazëti të jashtëzakonshme.

“Është humbje e madhe për artin pamor dhe modern, jo vetëm shqiptar por edhe në Evropë”.

“Gjelosh Gjokaj i përkiste një grupi të  artistëve të mëdhenj të Evropës. Ai ishte i gjeneratës së artë të piktorëve kosovarë, por njëherit edhe pionier i grafikës kosovare. Është piktor specifik i kohës moderne”.

Mulliqi u shpreh se Gjokaj do të kujtohet gjatë.

“Do të mbahet mend për pikturat e tij metafizike. Gjithë krijimtarinë e tij i kushtoi Tuzit të Malit të Zi. Për Gjeloshin u shkruan qindra kritika dhe çdokund krijimtaria e tij u vlerësua pozitivisht”.

Përmes artit, piktori i shquar do të kërkonte çdo herë të zhvillonte imagjinatën për të arritur në vepra të mahnitshme për të cilat u botuan edhe monografi.

‘’Për Gjelosh Gjokajn, u botuan edhe shumë monografi nga Akademia e Shkencave dhe Arteve. Ai pas vetes ka lënë qindra mijëra vizatime dhe piktura. Është me të vërtetë një humbje e madhe për të gjithë ne shqiptarët, e jo vetëm’’, ka përfunduar Mulliqi për klankosova.

Qëndrime të ngjashme ka edhe Mehmet Behluli – profesor në Akademinë e Arteve.

Sipas tij, Gjokajn, si një doajen i artit, vdekja e mori shumë herët.

‘’Lajmi se ka vdekur Gjelosh Gjokaj më preku shumë. Ishte lajm i papritur, vdekja e tij na preku të gjithëve”.

“Gjeloshi ishte një prej piktorëve doajenë, një prej baballarëve të artit bashkëkohorë në Kosovë. Ndihem shumë i pikëlluar për vdekjen e tij”.

Duke e pasur të vështirë t’i klasifikonte veprat e piktorit të famshëm, Behluli tha se ato radhiten në pikën më të lartë të artit.

‘’Veprat e tij janë shumë të rëndësishme për traditën e artit në Kosovë”.