“Anomaly”, një eksperiment filmik i regjisorit të ri kosovar me seksualitetin (VIDEO +18)
Është një film që është përfunduar për gjashtëdhjetë orë pa pushim, pa fjetur.
ShowBiz
Regjisori Leart Rama, një emër i ri në kinematografinë e Kosovës por që tashmë ka mbi vete një bagazh me disa krijime kreative, mbrëmë ka dhënë premierën e filmit të tij më të ri, “Anomaly”.
“Filmi është qëllimisht kontrovers dhe pak mund të jetë shqetësues, por këtë e kam bërë për shkak të mentalitetit shqiptar dhe po du me i thy disa barriera. Arti nuk ka limit” tregon Rama.

Learti trajton seksualitetin në filmin e tij, jo vetëm orientimin seksual në thelb por edhe preferencat seksuale, flet rreth kishës, Antikrishtit dhe ‘hijes që e vendosim mbi kokën tonë e pastaj nuk mund të shpëtojmë prej saj’, thotë ai.
“Filmi flet për diçka që është e dalun jashtë kornizave të “normales”, “normales” që quhet jetë. Nëse e shikon filmin pa paragjykime, mendoj që është personal dhe shumë i ndier për çdokë. Për shkak se kam vendosë me qenë eksperimental e bashkëkohor kam përdorur metafore dhe simbole në mënyrë që çdo shikues me u goditë në atë brendësinë e vetë që ka kohë që e fshehë prej të tjerëve” tregon për KultPlus Learti.
Filmi, i realizuar si pjesë e Kino Adriatic / Kino Movement, mbrëmë është shfaqur në Split të Kroacisë, në kinemanë Zllatna Vrata.
Filmi është me skenar, koncept e regji nga Learti, i inspiruar nga Lars Von Trier dhe nga jeta e përditshme, me njerëzit që shtypin vetveten dhe ëndrrat duke u frikësuar nga e panjohura.
Skenat shpesh dinë të jenë të rënda për tu përpirë nga mentaliteti kosovar dhe ai ballkanik, por kjo nuk e ka ndaluar, bile e ka thumbuar më shumë mendjen e regjisorit të ri, për të sjellë një film që shpesh është frikë e madhe edhe e regjisë filmike në përgjithësi.
“Filmi mbrëmë është pritur shumë mirë nga audienca në Split, duke e arritur qëllimin me i lënë ata konfuzë, gojëhapur dhe pak të shqetësuar. Në role janë Lejla Jerkovic, Stipe Radoja dhe Franjo Radovic” tregon regjisori Leart Rama.
Tina Kadoic dhe Isabella Faggiano janë pjesë e ekipit të filmit ndërsa për kolonën zanore janë përkujdesur Artil Qarkagjija ft Adelina.
Learti më herët ka realizuar edhe filmat “The Last Breath”, “5” e “Silent Words”. / KultPlus