Ramë Hamzaj, zyrtari i tenderëve që njëkohësisht punon edhe në shtet edhe privat!
Udhëheqësi i Divizionit të Banimit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Ramë Hamzaj është mbikëqyrës kryesorë i punëve dhe arkitektë në shumë tenderë që kompania “Çlirimi” fiton nëpër institucionet publike. Sipas CV-së së tij, ai punon me orar të plotë në kompaninë “Çlirimi” dhe në Ministrinë e Ambientit
Lajme
Udhëheqësi i Divizionit të Banimit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH), Ramë Hamzaj është duke punuar me dy kontrata valide me orar të plot në dy vende të ndryshme të punës.
Në MMPH është i punësuar që nga viti 2003, ndërsa në kompaninë “Çlirimi”, punon nga viti 2010, si mbikëqyrës i projekteve dhe arkitekt. Kjo kompani ka fituar dhjetëra tender në institucionet publike ku vlera e tyre shkon në dhjetëra miliona euro, ndërkaq Hamzaj ka qenë mbikëqyrës i këtyre projekteve. Madje, ai ka qenë mbikëqyrës edhe në aso projektesh që leja e ndërtimi lëshohet nga Ministria e Ambientit. Në CV-në e tij e cila prezantohet pranë autoriteteve kontraktuese, nuk figuron që i njëjti punon edhe në MMPH. Lajmi.net posedon komplet dokumentacionin për arkitektin Hamzaj me të cilin kompania “Çlirimi” garon në tender, e nga ku Hamzajn e prezanton si arkitektin kryesor. Dokumentet janë të vulosura nga kompania N.P.N.T “Çlirimi” dhe në mesin e tyre është Diploma e kualifikimit Universitar, Biografia profesionale (CV), Kontrata e punës, dhe Letër referencën e kompanisë. Në CV, Hamzaj e ka fshehur punën që e kryen në MMPH.
CV-ja për fitimin e tenderëve
Sipas kontratës së lidhur ne mes të Hamzaj dhe Çlirimi, shihet që Hamzaj aktualisht është punëtor i kësaj kompani, pasi që kontrata është lidhur me datë 03.01.2014 dhe vlen deri më datë 31.12.2016. Orari i punës është shënuar të jetë nga ora 08 deri në 16:30, te të njëjtën kohë kur punon edhe në ministri. Në biografinë profesionale me të cilën garon nëpër tender, Hamzaj e ka fshehur vendin e punës të cilin e ka me orar të plotë në Ministri, pasi nuk e ka paraqitur fare.
Sipas CV-së, nga Janari i vitit 2010 punon në “Çlirimi”, si projektues, mbikëqyrës profesional, ndërsa më herët, po sipas CV-së ka qenë i angazhuar edhe në dy kompani tjera private, në “Cordaid-Afer” dhe “ Dugiengenjering”. Sipas listës së projekteve të realizuara viteve të fundit nga kjo kompani, Hamza del se në tenderët që janë marrë në institucionet publike deri në fillim të vitit 2015 ka qenë përgjegjës për arkitekturë në 20 projekte. Disa nga to janë ndërtime që janë bërë nga Komuna e Prizrenit, Posta e Kosovës, Universiteti i Prizrenit, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Forcës së Sigurisë etj.
Ndërkohë, sipas “Letër reference” e cila është shkruar nga kjo kompani për rastet e garimit në tender, Hamzaj shihet që ka qenë përgjegjës për mbikëqyrjen e ekzekutimit dhe përfundimin e në disa projekte me rendësi. Madje, edhe në aso projektesh që leja e ndërtimit lëshohet nga Ministria e Ambienti. Sipas këtij dokumenti ka qenë mbikëqyrës i punimeve i angazhuar nga “Çlirimi” për kryejeni e punëve si “Ndërtimi i Qendrës së paraburgimit në Gjilan” me vlera prej 5.136.407, 52 euro.“Ndërtimi i objektit afaristo-banesor B-P+7, në vendin Atmejdan në Prizren, vlera e projektit 4, 395, 852.85 euro. “Ndërtimi i rrethojës dhe sallës sportive në QEA “Gulistan” Korishtë”, vlera 600,000.00 euro. “Ndërtimi i tregut të gjelbër Mamushë”, vlera e projektit 5.136.407, 52 euro. “Rregullimi i parcelës dhe ndërtimi i objektit të përbërë nga III blloqe“, vlera e projektit 3, 035, 570.00 euro. “Andaj, duke u nisur nga të dhënat e mësipërme, çdo subjekti apo institucioni i rekomandojmë z Ramë Hamzaj është shumë i përgjegjshëm dhe do të plotësojë detyrat dhe obligimet e pranuara”, thuhet në letrën rekomanduese të “Çlirimit” për Ramë Hamzaj.
Po ashtu, mbikëqyrës i punimeve ka qenë edhe në projektin “Ndërtimi i objektit të ri të Universitetit Publik të Prizrenit”, vlera e projektit 598.456, 31 euro. Ky tender ka qenë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për shkak të dyshimit që OSHP-ja ka bërë favorizimin e kompanive të caktuara.
MMPH: Nuk e përcjellim veprimtarin private të zyrtarëve
Lajmi.net ka pritur disa ditë por nuk ka marr përgjigje me shkrim nga Ramë Hamzaj as nga kompania “Çlirimi”. Ndërkohë në Ministrinë e Ambientit kanë thënë që Ramë Hamzaj, është Udhëheqës i Divizionit të Banimit, që nga viti 2003 punon në MMPH. Udhëheqësi i zyrës për informim në MMPH, Fadil Maxhuni nuk ka dashur të komentojë, për punën që zyrtari i ministrisë e kryen si arkitekt. “MMPH nuk është e obliguara të përcjellë veprimtaritë private të zyrtarëve, por nëse ndokush posedon fakte për konflikt interesi, atëherë mund t’i drejtohet organit kompetent. MMPH nuk jep askujt leje për garime në tender”, ka thënë Maxhuni.
Preteni: Hamzaj nuk bie mbi domenin e AKK-së
Lidhur më këtë rast, lajmi.net ka kërkuar një sqarim edhe nga Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, HasanP reteni. Ai ka thënë Ramë Hamzaj, nuk hyn në listën e zyrtarëve të lartë publik të paraparë sipas nenit 4 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit te Interesit 4/L-051, andaj për këtë zyrtar nuk vlejnë rregullat e parapara me këtë ligj. “Zyrtari në fjalë është shërbyes civil, andaj është obligim i çdo shërbyesi civil të respektojë Ligjin për Shërbimin Civil dhe Rregulloren (QRK) – NR. 04/2015 për kodin e mirësjelljes në shërbimin civil të Kosovës. Po ashtu sipas kësaj rregullore, Udhëheqësi i drejtpërdrejtë në bazë të dhënave që disponon, duhet të ndërmerr masat e nevojshme që të shmanget emërimi ose zgjedhja e një personi në pozicione në të cilat mund të lind ose ka konflikt të interesit. Nëpunësi civil nuk mund të ngarkohet me detyra që mund të çojnë në lindjen e konfliktit të interesit, sipas kësaj rregullore është paraparë angazhimi i nëpunësit civil jashtë institucionit”, ka thënë Preteni. /Lajmi.net






