Jevtiq vazhdon kundërshtimin e Mustafës për “Luginën e Diellit”
Ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq, po vazhdon me propagandën lidhur me ndërtimin e lagjes “Lugina e Diellit” në veri të Mitrovicës, projekt ky që po kundërshtohet ashpër nga kryeministri Isa Mustafa dhe skena politike në Kosovë.
Lajme
Për më tepër, partitë opozitare dhe opinioni publik në Kosovë, këtë projekt të financuar nga qeveria serbe, po e quajnë si përpjekje për të kolonizuar veriun e vendin nga Serbia.
Por, përkundër gjithë këtij kundërshtimi, ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Jevtiq edhe njëherë, në një intervistë për RTS-në, ka thënë se ndërtimi i kësaj lagje nuk nënkupton kolonizimin serb në Kosovë.
Jevtiq ka disa ditë që nuk përcjellë agjendën e Qeverisë së Kosovës, nga ku edhe merr rrogë si ministër, duke rënë ndesh edhe me qëndrimet e kryeministrit Mustafa dhe ministrave tjerë, të cilët thonë se ndërtimi i kësaj lagje nuk është në përputhje me planin urbanistik dhe se si i tillë nuk mund të ndërtohet, raporton lajmi.net.
Gjatë intervistës në televizionin publik serb, Jevtiq ka thënë se numri i të kthyerve në krahasim me atë të serbëve të zhvendosur, ka dallim tejet të madh.
“Numri i serbëve të zhvendosur është mbi 200 mijë ndërsa i të kthyerve është 101, për arsye të ndryshme”.
Arsyen që ky projekt të realizohet në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, Jevtiq e ka argumentuar me faktin se në pjesët e tjera, serbët e kthyer nuk kanë mjaftueshëm siguri. /lajmi.net