Mustafa: Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave, prioritet i Qeverisë

Kryeministri Isa Mustafa, mori pjesë në promovimin e Udhëzimit Administrativ për Masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët, të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore.

Lajme

15/06/2016 13:05

Para të pranishmëve Mustafa tha se zhvillimi qëndrueshëm i vendit në të gjitha aspektet, nuk mund të realizohet pa siguruar pjesëmarrjen dhe kontributin e gjithë qytetarëve, sidomos të grave dhe vajzave, të cilat përbëjnë gjysmën e  popullsisë së Kosovës.

“Por, para së gjithash konsideroj se ato janë faktorë tepër i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, i zhvillimit arsimor, i zhvillimit shëndetësor, kulturor dhe përgjithësisht i zhvillimit social të Kosovës”, ka deklaruar kryeministri.

Duke folur për qasjen e grave dhe vajzave në pronë në Kosovë, kryeministri Mustafa tha se është në një situatë që lë për të dëshiruar, pasi që pak gra dhe vajza regjistrojnë pronën në emër të tyre, e gëzojnë të drejtën e trashëgimisë dhe se kjo i vë ato në një situatë të pafavorshme ekonomike dhe financiare.

“Është një nismë e mirë që pas aprovimit të Udhëzimit kemi disa trende të cilat janë pozitive, por dëshirojmë që ato trendë të përmirësohen edhe më tutje. Andaj, ne si Qeveri kemi trajtuar jo rastësisht si prioritet strategjinë zhvillimore të miratuar në fillim të këtij viti, duke siguruar një rritje më të madhe të qasjes së grave në pronë dhe regjistrimin e pronës në emrin e tyre”, tha kryeministri Mustafa, duke folur për rëndësinë që ka miratimi në Qeveri i Udhëzimit Administrativ për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme të Përbashkët, në Emër të Dy Bashkëshortëve, pa pagesë.

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:

Ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen në këtë takim. E konsideroj një takim tepër të rëndësishëm i cili e trajton një temë me peshë të veçantë për vendin tonë.

Këtë vit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë një mision të veçantë, në mënyrë që të zbatoj Strategjinë Kombëtare për Zhvillim që kap periudhën 2016-2021, e cila strategji synon një zhvillim të qëndrueshëm të vendit.

Ne vlerësojmë se një synim i tillë mund të realizohet vetëm duke siguruar pjesëmarrjen dhe kontributin e gjithë qytetarëve, në këtë rast sidomos të grave dhe vajzave, të cilat jo vetëm se sipas gjinisë përbëjnë gjysmën e popullsisë së Kosovës, por para së gjithash konsideroj se janë faktorë tepër i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, i zhvillimit arsimor, i zhvillimit shëndetësor, kulturor dhe përgjithësisht i zhvillimit social të Kosovës.

Qasja e grave dhe vajzave në pronë në Kosovë është në një situatë që lë për të dëshiruar. Pak gra dhe vajza regjistrojnë pronën në emër të tyre, pak e gëzojnë të drejtën e trashëgimisë dhe kjo i vë ato në një situatë të pafavorshme ekonomike dhe financiare.

Është një nismë e mirë që pas aprovimit të Udhëzimit kemi disa trende të cilat janë pozitive, por dëshirojmë që ato trende të përmirësohen edhe më tutje.

Andaj, ne si Qeveri kemi trajtuar jo rastësisht si prioritet strategjinë zhvillimore të miratuar në fillim të këtij viti, duke siguruar një rritje më të madhe të qasjes së grave në pronë dhe regjistrimin e pronës në emrin e tyre.

Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale, i kanë propozuar Qeverisë së Republikës së Kosovës në fillim të vitit 2016 miratimin e një mase afirmative: “Udhëzimin Administrativ për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme të Përbashkët, në Emër të Dy Bashkëshortëve, pa pagesë”.

Qeveria e ka miratuar këtë iniciativë duke e parë si faktor të rëndësishëm inkurajimin qifteve të reja, dhe jo vetëm të atyre, që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të pronës në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

Në këtë aspekt, Qeveria synon që kjo masë të sigurojë shtysat e nevojshme për një zbatim më të mirë të ligjit në tërësi, një trajtim të barabartë të bashkëshortes, partneres dhe gruas.

Fuqizimi i grave dhe vajzave është dhe duhet të jetë prioritet i yni, në mënyrë që të gjitha gratë, sidomos ato në vendin tonë, ta shfrytëzojë potencialin njerëzor dhe intelektual të tyre, të shënojnë përparimin për vetveten, të kontribuojnë denjësisht në rritjen e mirëqenies familjare dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Të gjitha studimet tregojnë se aty ku gruaja është më aktive në ekonomi ato vende kanë treguar prosperitet dhe rritje më të madhe të zhvillimit ekonomik dhe kjo duhet të vlejë dhe vlen edhe për vendin tonë.

Andaj këto masa synojnë të sigurojnë një pjesëmarrje aktive të grave në tregun e punës, në zhvillimin e iniciativës së lirë ekonomike, të barazinë gjinore në prodhimin e të mirave dhe në ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët.

Me zbatimin e kësaj mase afirmative vlerësojmë se ne do të arrijmë të fokusojmë fushëveprimet, të orientojmë politikat në drejtim të duhur, të sigurojmë mirëqenien e qytetarëve përmes promovimit të vlerave dhe parimeve elementare të demokracisë të cilat ne dëshirojmë t’i ndërtojmë si parime themelore në vendin tonë.

Dihet se prona është vlerë elementare, është bazë mbi të cilën ndërtohet sistemi i një vendi,  prandaj e drejta e pronës është e patjetërsueshme për të gjithë qytetarët pa dallim gjinie, pa dallim nacionaliteti dhe pa dallim etnie.

Masat e prezantuara sot janë po ashtu një kontribut në proceset e integrimit evropian, në fushën e sundimit të ligjit, barazinë gjinore dhe përmbushjes së të drejtave të njeriut.

Unë dëshiroj që në përmbyllje të kësaj fjale të shkurtër të përgëzoj Agjencinë për Barazi Gjinore për punën që ka bërë. Përgëzoj edhe për faktin që ka arrit që të inkurajoj një interesim të tillë, sepse vetë interesimi shihet edhe nga pjesëmarrja shumë e dinjitetshme e juaja sot këtu. Falënderoj edhe Agjecionin Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar- USAID-in për përkrahjen e këtij projekti për të drejtat pronësore, dhe jo vetëm për përkrahjen e këtij projekti, por për të gjitha përkrahjet sepse kemi një përkrahje shumë të madhe të USAID-it në fushën e zhvillimit ekonomik, në të gjitha lëmenjtë që po tregon, dhe po tregohet edhe përmes ndryshimit të strukturës ekonomike dhe të rritjes së punësimit në shumë fusha.

Shfrytëzoj rastin t’ju bëjë thirrje gjithë qytetarëve, burrave dhe grave, të përfitojnë nga kjo masë për të rritur të mirën individuale dhe të familjes së tyre përmes regjistrimit të pronës në emër të dy bashkëshortëve.

Mendojmë se zbatimi i kësaj mase është kontribut në forcimin e shtetit, kontribut në rritjen e  prosperitetit të shoqërisë dhe pjesëmarrjes aktive të qytetarëve tanë, të grave dhe burrave në zhvillimin ekonomik të vendit, sepse ky zhvillim është i yni i përbashkët dhe si të tillë mund ta qojmë dhe mund ta realizojmë në mënyrë efektive vetëm me këto masa.