Shteti e ndalon ndërtimin e shtëpive afër Kalasë së Novobërdës (Foto)
Shteti serb kishte lobuar shumë kundër Kosovës që të ishte anëtare e UNESCO-s, por një kompani serbe vitin e kaluar fitoi tenderin për ta restauruar Kalanë e Novobërdës, njërin nga kultet më të vjetra që ka Kosova.
Lajme
Restaurimi i Kalasë së Novobërdës i cili ka filluar një vit më parë, tani është duke vazhduar pas ndërprerjes së punimeve për shkak stinës së dimrit.
Muret e kalasë e cila daton nga shekulli i XIII ka arritur t’i shpëtojë nga shembja kompania serbe “Koto” e cila e kishte fituar tenderin nga UNESCO, bashkë me dy nënkontraktorë tjerë.
Edhe pse punimet në këtë kala po kryhen nga kjo kompani serbe, bashkëpunimi midis institucioneve të Kosovës me punëkryersit është duke shkuar mirë.
Në fillim të restaurimit kompania “Koto” kishte 100 punonjës, ndërsa tani ka rreth 70 të tillë, të nacionalitetit serb dhe shqiptar.
Shef i kabinetit të ministrit të Kulturës, Ndue Ukaj, ka thënë për Indeksonline se punimet janë duke vazhduar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.
“Punimet në Kalanë e Novobërdës për këtë vit kanë filluar me kohë, duke përfshirë edhe pjesën e hulumtimeve, të cilat kryhen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës. Sa i përket numrit të punëtorëve, të cilët punojnë në këtë projekt, kjo çështje është e punëkryersit, i cili e ka planin dinamik dhe ne përputhje me të bën angazhimin punëtorëve”, ka thënë Ukaj.
Në zonën ku ndodhet Kalaja e Novobërdës ka banor dhe shtëpi private. Mirëpo në këtë zonë po pritet të ndalohet ndërtimi i mëtutjeshëm i shtëpive.
Banori i kësaj lagjeje, Faik Nobërdaliu, ka thënë për Indeksonline se nuk e dinë çfarë do të ndodhë me pronat dhe shtëpinë e tij që i ka, por ka treguar se si fqinjit të tij i është ndaluar ndërtimi i shtëpisë.
“Nuk e di se kush dhe pse e ka ndaluar ndërtimin e shtëpive, mendoj se kjo pjesë do të futet në zonat e Mbrojtura dhe ndoshta kjo është arsyeja. Unë jam rritur në këtë vend edhe shtëpinë ende e kam këtu, nuk i dihet se çfarë do të ndodhë me të por për mua është më mirë të mos ketë ndërtim të ri, pasi objektet e reja nuk i shkojnë për shtati këtij vendi”, ka thënë Nobërdaliu.
Sipas Ndue Ukajt, çdo kërkesë nga qytetarët duhet të adresohet dhe zhvillohet në përkim me ligjet dhe procedurat që parashihen për këtë zonë.
“Sa i përket ndalimit të ndërtimit të shtëpive, ju bëjmë me dije se Kalaja e Novobërdës, pra Qyteti Mesjetar i Novobërdës është zonë e veçantë e mbrojtur, ashtu siç e përcakton Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura. Prandaj çdo kërkesë duhet të adresohet dhe zhvillohet në përkim me ligjet dhe procedurat që parashihen për këtë zonë”, ka thënë Ukaj.
Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka treguar për gjetjet e reja që janë bërë në këtë kala.
“Gjetje të reja kemi në portën në anën verilindore, një portë për të cilën nuk kemi pasur njohuri më heret. Kemi struktura të reja të mureve, murit rrethues dhe mureve brenda vendbanimeve që kanë qenë mbeturina ato po pastrohen. Poshtë mureve është duke u bërë pastrimi ndërsa lartë fillon konservimi sipas projektit të miratuar në sipërfaqen e mureve të larta”, ka thënë Rexha.
Pasi të përfundojë faza e parë e projektit, Rexha ka thënë se pritet të hyjnë në fazën e dytë i cili do të shkojë në pjesën e poshtme të qytetit.
“Ne po aplikojmë dhe jemi duke e hartuar projektin për fazën e dytë të qytetit të poshtëm, tani jemi duke punuar vetëm me qytetin e epërm. Kur ta kryejmë konservimin dhe restaurimin e kësaj pjese projekti i dytë do të shkoj në pjesën e poshtme të qytetit, që është qyteti i dytë brenda mureve të kalas. Në këtë projekt jemi me kompaninë nga Kroacia duke e bërë hartimin e projektit dhe do të lobojmë në UNESCO për pjesën e dytë dhe mundësinë e financimit”, ka thënë ai.
Punimet nga kompania “Koto” pritet të përfundojnë në fund të tetorit të këtij viti por ende nuk ka datë absolute.
Mirëpo, Rexha ka thënë se Ministria e Kulturës i ka ndarë rreth 100 mijë euro për këtë vit për gërmime arkeologjike dhe pastrime në Kalanë e Novobërdës duke shtuar se mund të kyçen edhe në ndonjë pjesë të konservimit të strukturës së objektit që nuk është në projektin e UNESCO-s.
Qyteti i Novobërdës zhvillimin më të hovshëm ekonomik e kishte arritur në shekullin e XV-të ku ishte bërë njëri ndër qytetet më të rëndësishme në Evropën Juglindore.

