Të ndryshohet Ligji për Deklarimin e Pasurisë
Deklarimi i pasurisë nga zyrtarët e lartë ka shumë mangësi, prandaj duhet të ndryshohet.
Lajme
Kështu akne vlerësuar njohës të këtij procesi, të cilët kanë thënë se ndryshimet duhet të fillojnë që nga Ligji për Deklarimin e Pasurisë, pasi, sipas tyre, në formën se si bëhet aktualisht deklarimi i pasurisë ai nuk është asgjë më shumë se sa një deklarim formal.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni ka thënë për “Zërin” se deklarimi i pasurisë siguron një bazë juridike që të vërtetohet prejardhja e pasurisë.
“Ky aktivitet në Kosovë ëstë duke u realizuar në një përqindje të madhe, duhet të vazhdohet me këtë duke siguruar bazë juridike që të vërtetohet prejardhja e pasurisë, deklarimi dhe kontrolli është duke u realizuar në bazë të ligjit, mbetet të kontrollohet, të vërtetohet prejardhja”.
Në anën tjetër, opinionisti, Imer Mushkolaj ka thënë se duhet të ndryshohet Ligji për Deklarimin e Pasurisë, pasi sipas tij, ligji aktual ua mundëson zyrtarëve të deklarojnë çfarë të duan nga pasuria e tyre.
“Duhet të ndryshohet ligji, pasi që nuk mjafton të lihet vetëm në dëshirën e zyrtarëve, të cilët janë të obliguar or të deklaruar pasurinë, që ta deklarojnë si të duan dhe çka të duan por të jetë edhe mundësia e verifikimit të asaj që deklarojnë,” ka thënë Mushkolaj.