Dizajnimi i projekteve të donatorëve fontanë dëshirash?!

Njëra prej arsyeve kryesore për efektet e kufizuara të donacioneve në Kosovë është dizajnimi i mangët i tyre.

Opinion

04/06/2016 11:22

Kjo është bërë dhe ende bëhet si rezultat i përfshirjes së kufizuar apo në rastin më të keq të mospërfshirjes së institucioneve tona dhe shoqërisë civile në identifikimin cilësor të nevojave për përmirësim dhe zhvillim të gjithëmbarshëm institucional.

Kjo ka bërë që projekte euro-milionëshe të përfundojnë pa ndonjë efekt nëpër institucionet përfituese.

Shpesh ndodh që projektet e donatorëve të dizajnohen duke u bazuar vetëm në disa informata të përgjithshme e shpesh periferike, pa u konsultuar sa duhet me institucionet e synuara.

Me përjashtim të projekteve të BE-së, për dizajnimin e të cilave institucionet vendore deri diku konsultohen, donatorët tjerë shumë pak konsultojnë institucionet tona se për çfarë lloji të ndihmës ato vërtetë kanë nevojë. Pothuaj asnjëherë projektet nuk dizajnohen sipas analizës shkak-pasojë duke identifikuar shkaqet se çfarë pasoja po prodhojnë për p.sh. mosfunksionimin e mirë të një institucioni apo sektori.

Praktika ka dëshmuar që institucionet tona kërkojnë projekte dhe ato u servohen, ato shumë pak bashkëpunojnë me menaxhmentin e projektit që vjen nga kompanitë  ndërkombëtare. E këto të fundit, natyrisht jo të gjitha, në të shumtën e rasteve janë të interesuara të përfundojnë projektet euro-milionëshe, të marrin paratë dhe të ikin nga këtu, pa lënë prapa një punë të mirë, efektive dhe të qëndrueshme.

Rregulli numër një është se para se të fillohet me dizajnimin e një projekti duhet të ketë një nevojë për të. Ka pasur shpesh raste gjatë periudhës keq-qeverisëse të UNMIK-ut kur janë servuar projekte euro-milionëshe, për të cilat ka pasur shumë pak apo në rastin më të keq nuk ka pasur fare nevojë. Parimisht, institucioni në nevojë duhet të themelojë një Grup Punues sa më gjithëpërfshirës për të identifikuar nevojat reale, të cilat pastaj do të reflektoheshin në një projekt të mundshëm.

E vërteta është se nuk themelohet ndonjë grup punues për identifikim të nevojave, por vetëm dy apo tre persona të institucionit mundohen të dizajnojnë një projekt pa ndonjë konsultim të thuktë horizontal e vertikal brenda institucionit.

Dhe kur projekti fillon, shumica e personelit të institucionit përfitues as që janë në dijeni për të. Kjo pastaj shkakton konfuzion te institucioni përfitues dhe menaxhmenti i projektit dhe për më tepër krijon vështirësi të panumërta gjatë fazës së implementimit. Edhe menaxhmenti i lartë i institucionit përfitues, përpos që është i informuar për projektet në ardhje, ai as që merret me mbarëvajtjen e projektit.

Përfshirja e institucioneve tona në bashkë-dizajnim të projekteve të donatorëve, përpos kontributit në dizajnim më të mirë të projekteve, do të rriste dhe kapacitetet tona institucionale për të dizajnuar dhe pse jo implementuar më mirë ato.

Kjo në të njëjtën kohë do të ulte shkallën e varësisë së institucioneve tona nga donatorët për të dizajnuar projekte apo dokumente tjera të ngjashme. Pothuaj shumica e projekteve dhe dokumenteve strategjike (p.sh. strategji të ndryshme) dizajnohen nga donatorët me një pronësi tepër të vogël vendore, praktikë kjo e cila ka filluar të ndryshojë ngadalë, por jo aq sa duhet.

Madje, madje po të kërkohet nëpër institucione tona drafti i parë i një strategjie apo projekti, ai draft do të mund të gjendej vetëm në anglisht, e arsyeja është se ai dokument është hartuar nga projektet e donatorëve. E opionioni publik në Kosovë sheh në media miratimin e një dokumenti strategjik dhe nuk di që tërë ai dokument është përgatitur nga donatorët me pronësi tepër të ulët vendore.

Dizajnimi i projekteve të donatorëve nga institucionet tona është tepër i rëndësishëm, kur dihet që Kosova në një të ardhme të afërt do të duhet të menaxhojë vetë me projektet e BE-së, pra të kalojë nga Sistemi i Centralizuar i Implementimit -SCI- (kur BE menaxhon me fonde të saj, siç është sot) në Sistemin e Decentralizuar të Implementimit –SDI- (kur Kosova do të menaxhojë fondet e BE-së).

Me përjashtim të Shqipërisë, e cila është në proces të marrjes së përgjegjësive për sistem të decentralizuar, rajoni tashmë – edhe pse jo pa vështirësi – ka filluar të menaxhojë vetë me fondet e BE-së, ndërkohë që Kosova, për shkak të kaluarës së saj të vështirë, ka bërë vetëm hapat e parë në këtë drejtim, siç janë themelimi i strukturave për integrim evropian nëpër të gjiha ministritë, deri diku në parlament dhe nivel lokal. Këto struktura tashmë duhet të përgatiten dhe trajnohen në të gjitha çështjet tekniko-administrative të procedurave komplekse të BE-së. Kjo natyrisht që kërkon përkushtim dhe vullnet politik para se gjithash.

Sa më parë që përgatiten strukturat vendore për dizajnim cilësor të fondeve të BE-së dhe donatorëve tjerë aq më reale dhe më të realizueshme dhe pse jo më të suksesëshme do të jenë projektet e donatorëve, ndërkohë që edhe zhvillimi dhe avansimi institucional do jetë i pashmangshëm.

Pra, kur ne e dijmë se për çfarë në të vërtetë kemi nevojë, ateherë do të jemi në gjendje që të orientojmë dhe koordinojmë më mirë numrin e madh të donacioneve. E orientim dhe koordinim më i mirë do të thoshte kur dy apo më shumë donatorë mos të japin miliona euro fonde për një problematikë të njëjtë por të koordinohen mes vete.

Viteve të fundit shihet një përmirësim nëpër institucionet tona në aspektin e krijimit dhe funksionalizimit të mekanizmit për planifikim strategjik dhe koordinim të politikave. Kjo natyrisht që do të ndihmojë në dizajnim më të mirë të projekteve në mbështetje të plotë të politikave shtetërore për çështje të caktuara. Por problemet ngelen ende te cilësia e implementimit të politikave dhe kjo sigurisht që kufizon mundësitë për të pasur projekte të suksesëshme.

Prandaj, për shkak të kapaciteteve të kufizuara në hartim dhe zbatim, projektet në Kosovë duhet të jenë sa më të sakta dhe më të ngushta në fushëveprim në mënyrë që të arrijnë më lehtë objektivat e tyre. Pastaj, ato duhet të kenë lidhje logjike mes shkakut dhe pasojës, mes objektivave, rezultateve e aktiviteteve, identifikim të rreziqeve dhe masave për minimizim e tyre si dhe indikatorëve (treguesve) të cilët shërbejnë për të matur arritshmërinë e projektit.

Vlen të përmendet se një pjesë e konsiderueshme e projekteve në Kosovë në dizajnet e tyre janë aq gjithëpërfshirëse sa që në fund shumë pak aktivitete arrinë të kryhen. Kur i bën një analizë dizajnit, atëherë shihet qartë se përmbajtja e shumë projekteve nuk mund të shihet ndryshe përpos si fontanë dëshirash. Prandaj, kjo praktikë është shumë e rëndësishme të ndryshohet duke marrë efektivisht pjesë në dizajnimin e projekteve dhe dokumenteve strategjike.

(Qëndrimet e autorit nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të redaksisë së portalit)