Nxënësja nga Elbasani mahnit jurinë në SHBA me shpikjen e saj
Një vajzë 17 vjeçare nga Elbasani ka fituar medaljen e argjendtë për shkak të shpikjes së saj. Esli Belshi, studion pranë “Mehmet Akif” në Cërrik dhe është nxënëse e shkëlqyer.

Lajme
Nxënësja nga Cërriku e paraqiti projektin e saj Konkursin Ndërkombëtar të Projekteve I-SWEEEP “Konkursi Shkencor Ndërkombëtar në Fushën e Energjisë, Inxhinierisë dhe Mjedisit”, i cili u zhvillua në Qendrën “Gorge Brown” të shtetit Houston, në Texas/SHBA. Në këtë konkurs morën pjesë 564 nxënës dhe 300 mësues , ku u prezantuan 385 projektet më të mira nga 62 vende të ndryshme të botës.
Shqipëria u përfaqësua nga Esli Belshi nxënëse e Kolegjit Turk “Mehmet Akif” në degën inxhinieri, me projektin “Një dorë robot”. Projekti i prezantuar nga Esli Belshi u vlerësua nga juria me medalje argjendi, ndërsa “North Amerikan University” i ofroj asaj një bursë studimi.
Projekti bazohet në risitë në zhvillimin e elektronikës dhe qëllimi ka qenë prezantimi i një projekti të thjeshtë, që nëpërmjet një mikroçipi, dora e dëmtuar të komandohet me anë të zërit.
Demonstrimi fillestar ka qenë hapja dhe mbyllja e dorës me anë të komandës zanore. Më pas do të kalohet në komandimin e secilit gisht veçmas, shkruan gazetari Fatos Salliu në InfoElbasani.
Esli shprehet se këtë çmim ja dedikon gjyshit të saj i cili e ka shtyrë në punën kërkimore.
Ajo tregon emocionet e veçanta gjatë marrjes së çmimit dhe thotë se në momentet kur ka ngritur flamurin e ka harruar veten, por ka menduar për gjithë Shqipërinë.
“Idenë e mora rastësisht. Ishte një rast aktual i dikujt që kishte probleme me gjymtyrët e sipërme. Më ngacmoi ideja që ta bëj edhe këtë kategori që të ndjehet si të tjerët. Dhe ju përvesha punës”, tha ajo.