“Home Sweet Home”, del e hidhur për luftëtarin e rikthyer

Agroni u shpall i vrarë në luftë. Rrugët e shkollat u pagëzuan me emrin e tij. Madje për ta nderuar, iu ngrit edhe një shtatore, ndërkaq familjes iu nda pensioni i tij.

ShowBiz

26/04/2016 14:55

Por në fakt ai është gjallë. Agroni kthehet pas katër viteve në familjen e tij, por nuk askush nuk befasohet. Përkundrazi, del të jetë pengesë në ndërtimin e jetës sociale në familjen e tij. Shtëpia e ëmbël, i del e hidhur Agronit.

Kjo është tematika e filmit “Home Sweet Home”, me skenar të Zymber Kelmendit dhe regji të Faton Bajraktarit. Filmi u dha premierë në festivalin PriFest i cili është duke u mbajtur në Prishtinë.

Filmi shpesh ngritë pikëpyetje tek shikuesit duke mos u dhënë gjëra konkrete por, kjo është bërë qëllimisht nga ana regjisoriale për arsye të ngacmimit të imagjinatës së publikut.

“Ne nuk kemi dashur asnjëherë ta konkretizojmë ngjarjen deri në nivelin e asaj që gjithçka të jetë e kuptueshme por kemi dashur që shikuesi të bëhet kurioz, mungesa e konkretizimit të disa pjesëve sidomos ngjarjes nga e kaluara ka qenë diçka e qëllimshme nga ana jonë”, është shprehur regjisori Bajraktari, shkruan KultPlus.

“Kjo ‘shtëpi e ëmbla shtëpi’ neve zakonisht na ngulfat. Kjo shtëpi është Kosova dhe pak a shumë ky mentalitet që është shfaqur në film është në shoqërinë tonë. Humori duket se lind brenda për brenda, nuk kemi dashur të fusim diçka që nuk korrespondon me temën. Ajo që më ka bërë përshtypje është reagimi i publikut në ato moment kur ai humor ka ekzistuar”, deklaron skenaristi Kelmendi.

“Home sëeet home”, në kastën e aktorëve ka aktorët Donat Qosja, Arta Mucaj, Shkumbin Istrefi, Lea Qosja, Mona Mustafa dhe Albin Bajraktari

Donat Qosja i cili luan rolin e Agronit, e që njëherit është personazhi kryesor i filmit, vjen shumë i sinqertë, shumë i pastër dhe shumë idealist por, një botë të tillë nuk e gjen pas kthimit të tij, gjërat kishin ndryshuar e madje familja si familje nuk ishte ajo që ai dikur e kishte.

“Vjen një njeri të cilin të gjithë e kanë menduar të vdekur, ai vjen në shtëpinë e vet por, e gjithë jeta tashmë është planifikuar pa të dhe ai nuk e gjen më veten në atë familje. Kjo ka qenë ajo mbi të cilin e kemi ndërtuar marrëdhënien time me familjen. Hapësira e tij në familje është plotësuar dhe prandaj Agroni në fund vendos të largohet”, thotë Qosja. Përkrah tij në film ka luajtur edhe vajza e tij.

“Në fillim kur më ka thënë Fatoni që Lea mundet me qenë në rolin e vajzës jam shqetësuar, sepse unë e kam pasur edhe barrën e saj, sepse nuk isha i sigurt sa ajo do të arrijë të ballafaqohet me këtë rol pasi që edhe është roli i saj i parë por, menjëherë pas ditës së parë të xhirimeve kjo barrë është kthyer në ndihmë për mua. Më ka ndihmuar shumë, pasi edhe në rol është vajza ime e vogël dhe raporti ka ardhur shumë natyral dhe më i lehtë”, tregoi tutje Qosja. /KultPlus