Twitter gati të ndryshojë organizimin e cicërimave
Hashtagu #RIPTwitter u bë trendi numër 1 në SHBA të shtunën pas një raporti të BuzFeed se kompania po planifikonte të ndryshonte mënyrën sesi shfaq cicërimat e përdoruesve.

Auto & Tek
Raporti i BuzzFeed, i cili u publikua të premten në mbrëmje duke mos ofruar burimin e informacionit, tha se rrjeti social do të riorganizonte cicërimat për tu dhënë prioritet përmbajtjeve më tërheqëse. Aktualisht Twitter organizon cicërimat në bazë të një rendi kronologjik.
Përgjigja e përdoruesve ndaj këtij lajmi ishte tejet negative dhe trendi #RIPTwitter sugjeron se për përdoruesit implementim i këtij ndryshimi do të thoshte vdekjen e rrjetit social, transmeton PCWorld Albanian.
Një pjesë e madhe ishin të shqetësuar se llogaritë me më pak ndjekës do të veniteshin falë sistemit të ri. Të tjerë ankoheshin se një sistem i tillë do ti përngjante më tej Facebook-ut, i cili organizon përmbajtjet përmes një alegoritmi.
Kohët e fundit rrjetit social Twitter është vendosur nën presionin e rritjes së bazës së përdoruesve në përpjekje për të gjeneruar të ardhura nga reklamimi aq sa gjeneron vetë Facebook.
Muajin e kaluar, Twitter u vu në qendër të kritikave kur njoftoi një ndryshim të ri i cili do të lejonte përdoruesit të postojnë cicërima deri në 10,000 karaktere nga 140 që është aktualisht.