Hahn në PE: Paralizimi politik, po dëmton rëndë Kosovën

Në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian, të siguruar nga lajmi.net, komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn, deklaroi se është koha e fundit që opozita të heq dorë nga dhuna dhe pengimi, e t’i kthehet punës. Ai gjithashtu tha se Kosova duhet të vazhdojë punën sepse ka shumë për të bërë.

Lajme

03/02/2016 19:33

 

Johannes Hahn, Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, në fjalimin e tij sot në seancën Plenare të Parlamentit Evropian, Kosovës i kushtoi një fjalim të veçantë.

Në këtë fjalim të  siguruar nga lajmi.net, pasi  falënderon anëtarët për mbështetje që i dhanë dy javë më parë miratimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Kosovën, dhe në mënyrë të veçantë raportuesen për Kosovën në këtë institucion, Ulrike Lunaçek, Hahn shpreson se liderët politikë kosovarë ta shfrytëzojnë mundësinë për miratimin e MSA-së, dhe të ulën në tavolinë për diskutuar dallimet që kanë.

“Paralizimi politik në Prishtinë ka zgjatur tepër shumë dhe ka shkaktuar dëm të madh.   Është koha e fundit që opozita të heq dorë nga dhuna dhe pengimi, e t’i kthehet punës”, deklaroi Hahn, raporton lajmi.net.

Pasi deklaron se përveç situatës së rëndë  politike dhe ekonomike për shkak edhe të papunësisë, të cilat janë vënë në dukje edhe në raportin e tij të vitit 2015, fokusi i domosdoshëm duhet të jetë  edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“E njëjta duhet të vlerë edhe për pavarësinë e kapaciteteve gjyqësore. Përmirësimi në këto fusha do t’u ofrohen qytetarëve të Kosovës si një perspektivë për një të ardhme më të mirë”, deklaroi Hahn.

Ndër të tjera, Komisionari Hahn deklaroi  në fjalimin e tij se bashkëpunimi me Dhomat e Posaçme të Gjykatës Speciale ka një rëndësi kritike, ndërkohë që normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, vazhdimi i dialogut dhe arritja e marrëveshjeve të tjera,  ka një rëndësi ë veçantë.

Gjithashtu, Hahn deklaroi se Kosova duhet të vazhdojë bashkëpunimin me Misionin për Sundim të Ligjit-EULEX pasi ky është edhe obligim që rrjedh nga MSA-ja.

Ndërkohë, në fund të fjalimit të tij, Komisionari Hahn tha se e kuptojnë plotësisht se liberalizimi i vizave për kosovarët është çështje thelbësore për Kosovën.

Ai rikujton se Komisioni ka prezantuar në raportin e  tretë dhe të fundit në fund të vitit të kaluar në lidhje me këtë çështje dhe i cili njeh progresin substancial të bërë nga Kosova.

“Por gjithashtu raporti përmend edhe tetë kërkesat të cilat duhet të përmbushen edhe më tej para se të procedohet si propozim”, theksoi Komisionari Hahn.

“Kosova po punon shumë fort të përmbushë ato rekomandime. Shpresoj se kjo (liberalizimi) do të bëhet i mundur shumë shpejt”, tha në fjalimin e tij para anëtarëve të Parlamentit Evropian, Komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn./lajmi.net