Andi Lila e Ilir Berisha te “magjistarja” serbe
Mbrojtësi kuqezi, Andi Lila dhe mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Ilir Berisha përfunduan terapinë me mjekën Marijana Kovacevic.

Sport
Dy futbollistë shqiptarë në duart e një magjistareje serbe. Mbrojtësi kuqezi, Andi Lila dhe mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Ilir Berisha përfunduan terapinë me mjekën Marijana Kovacevic. Nëpërmjet profileve zyrtare në Instagram dhe Facebook, Lila njoftoi përfundimin e terapisë 6-ditore në Beograd. Mbrojtësi kuqezi, i dëmtuar në miqësoren e fundit me Gjeorgjinë shkruante se normalisht duhej të qendronte dy muaj larg fushave, por se aktualisht ai ndihet shkëlqyeshëm.
Edhe Ilir Berisha duket se ndihet në gjendje optimale dhe gati për të luajtur, pas dëmtimit të pësuar në vëllazëroren e luajtur në Prishtinë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa më parë mjekët i kishin këshilluar tre muaj pushim. Në fotografitë e publikuara, ku ishte së bashku me mbrojtësin e Orebros, Berisha, Andi Lila falënderoi mjeken Marijana, e cila është e njohur në të gjithë botën, shkruan “Supersport.al”.
Ajo është specialistja e kurimit të dëmtimeve me placentën e kalit, ndërsa më parë ka shëruar yje të nivelit botëror, si Neymar, Arda Turan, Robin Van Persie, apo emra të mëdhenj të Premier League-s, Diego Costa, Wayne Rooney e Alexis Sanchez.
Mes pacientëve të mëparshëm të mjekes serbe që janë shëruar në Beograd, janë edhe dyshja ofensive e Skënderbeut, Hamdi Salihi dhe Liridon Latifi, edhe ata të rikuperuar në kohë rekord.