Vata: Turp, mos e prekni De Biasin
Rudi Vata mendon se meritën absolute për suksesin e Shqipërisë e ka trajneri Gianni De Biasi.

Sport
Rudi Vata , ish-kapiteni i Kombëtares, i ngacmuar nga reagimet më të fundit për rinovimin ose jo të kontratës së Gianni de Biasit, ka dhënë opinionin e tij, duke i dalë në krahë trajnerit për punën që ka bërë me kuqezinjtë.
“Asnjë trajner shqiptar nuk do ta bënte këtë që ka bërë De Biasi. Dhe, e dini pse? Jo për anën profesionale, por sepse nuk do të menaxhonte dot situatat alla-shqiptarçe”, tregon ndër të tjera Vata për Panorama Sport.
Ish-mbrojtësi, i cili ka luajtur 59 ndeshje me përfaqësuesen, analizon edicionin fantastik të Shqipërisë, duke bërë elozhe pa fund për mënyrën se si ka punuar De Biasi. Sipas Vatës, FSHF duhet t’i plotësojë italianit çdo kërkesë për rinovimin e marrëveshjes. Rudi i përgjigjet edhe menaxherit të Kombëtares, Alban Bushi.
“Të jem i sinqertë, nuk jam aspak i surprizuar që Shqipëria është kualifikuar për herë të parë në një kampionat europian. Jam një besimtar i madh i punës dhe, në këtë rast, puna që ka bërë De Biasi me stafin e tij dhe lojtarët mori në fund shpërblimin e merituar. Mënyra se si e ka bërë detyrën De Biazi që nga dita e parë kur ka marrë drejtimin e Shqipërisë, ka dhënë një shembull të ri organizimi”, ka thënë ai.
“Unë i kam kritikuar shpesh mendimet e disa opinionistëve, të cilët i dolën kundër De Biazit pas rezultateve në edicionin e parë. Madje, e gjykonin se kishte gabuar duke bërë eksperimente me shumë lojtarë”, shtoi ai.
“Nëse FSHF nuk mban De Biasin, atëherë do të ishte një humbje e madhe. Ardhja e një tjetër trajneri në këtë moment, nuk ka siguri nëse do të ruajë balancat në skuadër dhe ta kontrollojë atë si De Biasi. Problemi më i madh i shqiptarëve është lakmia dhe xhelozia. Jam i sigurt se, po të ishte në krye të Kombëtares një trajner shqiptar, nuk do të arrinte kurrë në nivelet e De Biasit”, shprehet Vata.