Berat Gjimshiti, talenti që po “çmend” italianët

“Corriere dello Sport” në seksionin “Zbuluesi i talenteve” vlerëson mbrojtësin e qendrës, që u shndërrua në protagonist në fazën e fundit të kualifikueseve.

Sport

15/10/2015 13:32

Me kualifikimin historik në fazën finale të Kampionatit Europian dhe Gianni De Biasin në stol, Kombëtarja është shndërruar në vitrinën e futbollistëve shqiptarë në Itali. Brezi i ri i talentëve kuqezi mbetet vazhdimisht në vëzhgimin e mediave dhe klubeve të Serisë A.

Më i fundit që iu shtua listës është mbrojtësi Berat Gjimshiti. “Corriere dello Sport” në seksionin “Zbuluesi i talenteve” vlerëson mbrojtësin e qendrës, që u shndërrua në protagonist në fazën e fundit të kualifikueseve.

Gazeta italiane theksonte se 22-vjeçari që luan te Zyrihu u zbulua nga De Biasi, ka luajtur katër ndeshje si titullar me përfaqësuesen dhe shënoi një prej golave të fitores 3-0 në Armeni, rezultat që i dhuroi Shqipërisë kualifikimin direkt në turneun në Francë.

Gjimshiti vlerësohet për forcën fizike me gjatësinë 1 metër e 90 centimetra, por edhe për faktin se përveçse në qendër, mund të luajë pa probleme edhe si mbrojtës krahu. “Corriere Dello Sport” theksonte se titullarit të Zyrihut në Superligën zvicerane i përfundon kontrata me klubin më 30 qershor 2016 dhe ky mund të jetë një rast mjaft i mirë në merkato për klubet italiane, shkruan “Supersport.al”.

Më tej përditshmja sportive, i bënte një panoramë të gjërë Kombëtares kuqezi. Duke bërë një përshkrim lojtarëve që njihen tashmë në Itali, si Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Lorik Cana, Migjen Basha apo Ledian Memushaj. Mes talentëve të rinj që veçohen janë Aliji, Roshi, Balaj, Sadiku dhe Taulant Xhaka, por edhe Shkëlzen Gashi, golashënuesi më i mirë në Zvicër gjatë dy sezoneve të fundit. Një përzierje kualiteti, entuziazmi dhe krenarie, për një Shqipëri që ka hyrë nga dera kryesore e futbollit të madh europian.