Përfundon vera e nxehtë: Por çfarë dimri na pret këtë vit

Kanë ngelur edhe pak më shumë se një muaj deri në përfundimin zyrtar të verës së këtij viti, dhe në bazë të parashikimeve të motit, vendi më nuk do të karakterizohet me temperatura të larta ekstreme.

Lajme

17/08/2015 10:23

Profesori i lëndës së meteorologjisë, dhe ish drejtori i Institutit Hidorometerologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj, në një prononcim për lajmi.net, ka bërë të ditur se temperaturat për këtë javë në vendin tonë do të jenë të ftohta për sezonën në të cilën ndodhemi.

“Vendi ynë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore që kanë ardhur nga pjesa veri-lindore e rajonit, e që janë masa të ftohta për sezonën në të cilën ndodhemi, prandaj temperaturat të cilat janë shënuar javët dhe ditët e kaluara nuk do të përsëriten gjatë kësaj jave, e as deri në fund të sezonës. Temperatura më e lartë minimale do të jetë prej 11 – 16 gradë celsius ndërsa temperaturat maksimale do të shënohen nga 23 – 26 gradë celsius gjatë kësaj jave”.

Gjithashtu, sipas tij, kjo javë do të karakterizohet me të reshura të shiut, por ka edhe një shkallë rreziku nga retë breshër-formuese, ngase Kosova bën pjesë në aktivitetin e këtij lloji të reve.

Ndërsa, në fund të kësaj jave Tahirsylaj thotë se pritet një ulje e lehtë e temperaturave, si e atyre minimale edhe te ato maksimale, prej 1 – 3 gradë celsius.

E me fillimin e javës së ardhshme vjen edhe ngritja e temperaturave, por jo në masën ekstreme.

“Me fillim nga java e ardhshme temperaturat pritet të ngriten sërish, por jo në masën e temperaturave tepër të larta. Gjatë kësaj vere pritet të ketë sërish temperatura mbi 30 gradë por jo në masën ekstreme”.

Në anën tjetër, mediat në rajon kanë raportuar për parashikim të një dimri të ashpër, por për profesorin Tahirsylaj, këto parashikime nuk mund të jenë të sakta, dhe dimri që po vjen edhe nëse do të karakterizohet me mot të ftohtë, ato masa ajrore do të jenë të përkohshme dhe brenda parametrave normal për vendin.

“Sa më i gjatë të jetë parashikimi, saktësia është shumë më e vogël. Është herët që të bëjmë parashikime për dimrin. Por, ky dimër temperaturën më të ulët mund ta ketë -20 gradë celsius, vlerë ekstreme që përputhet plotësisht me kushtet meteorologjike të vendit tonë, e cila do të zgjasë deri në një javë dhe tejkalohet. Prandaj nuk ka nevojë për shqetësim, pasi dimri që po vjen do të jetë brenda nivelit të temperaturave të dimrave shumëvjeçar që kanë kaluar”, ka thënë për lajmi.net, profesori i lëndës së meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj. /lajmi.net