Tre pacientë me HIV në infektivë, njëri në gjendje të rëndë

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në Kosovë janë regjistruar 17 raste të reja me virusin HIV/AIDS. Aktualisht, në Kliniken Infektive në QKUK, trajtim po marrin tre persona, njëri nga ta në gjendje të rëndë. Është vendi ku trajtohen sëmundjet infektive. Një ndër to është edhe virusi HIV/AIDS. Vetëm në gjashtë muajt e parë…

Lajme

21/06/2026 22:42

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në Kosovë janë regjistruar 17 raste të reja me virusin HIV/AIDS. Aktualisht, në Kliniken Infektive në QKUK, trajtim po marrin tre persona, njëri nga ta në gjendje të rëndë.

Është vendi ku trajtohen sëmundjet infektive.

Një ndër to është edhe virusi HIV/AIDS.

Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, u paraqitën 17 raste.

“Deri më 16.06.2026, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) janë raportuar gjithsej 17 raste me HIV/AIDS. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, janë raportuar 13 raste. Ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024 janë raportuar 18 raste”, thuhet nga IShPK për Tëvë1.

Aktualisht, në Klinikën Infektive, nga kjo sëmundje po marrin trajtim tre persona.

“Aktualisht i kemi 3 pacientë të shtrirë në spital, njëri është në gjendje më të rëndë, ndërsa dy të tjerët janë më mirë”, shprehet Murat Mehmeti – shef i repartit në Klinikën Infektive.
Me trendin aktual të këtij virusi, infektologu Murat Mehmeti konsideron se gjasat janë që këto shifra të shtohen dyfish.

“Tre vitet e fundit është pak a shumë i njëjti trend në kuptimin e numrit të përgjithshëm të rasteve brenda vitit, por duke pasur parasysh që edhe vitin e kaluar i kemi pas rreth 27 raste të reja e tash jemi në mesin e vitit dhe deri tani kemi 15 raste, mundësi është që ky numër edhe të dyfishohet”, thotë Mehmeti.

Viteve të kaluara, kishte pasur mungesë të medikamenteve të nevojshme për terapi kundër HIV/AIDS.

Por këtë vit, Mehmeti thotë se qëndrojnë mirë.

“Sa i përket barnave, qëndrojmë mirë, jemi të furnizuar mirë sa i përket barnave të cilat ne i trajtojmë këta pacientë, mirëpo siç e thash nëse sëmundja avancon shumë ose zbulohet me një fazë shumë të vonshme, përkundër terapisë është e vështirë që të mbijetojnë rastet e tilla”, shprehet ai.

Sipas IKSHPK, numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara me HIV/AIDS në Kosovë ndër vite ka arritur në 269 raste.

Nga këto, 60 janë raste të vdekjes si pasojë e AIDS-it.