Krusha e Madhe u rikujton deputetëve: Serbia na ka borxh 241 gjaqe

Këshilli Koordinues për padi ndaj shtetit serb nga fshati Krushë të Madhe, u ka shkruar letër të hapur deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në këtë letër i pyeten deputetët se çfarë do të ndodhë me padinë ndaj shtetit serb për krimet e bëra gjatë luftës së vitit 1999 në fshatin Krushë e Madhe.

Lajme

03/08/2015 15:57

Më poshtë mund ta lexoni letrën e plotë:

Të nderuar Deputet të Parlamentit të Republikës së Kosovës,

Në Krushë të Madhe me datë: 25, 26 dhe 27 mars 1999, u ekzekutuan, masakruan e dogjën të gjallë, 241 burra, gra, pleq e fëmijë.

Hetues të tribunalit të Hagës, në Krushë të Madhe gjetën dhe konfirmuan:
– 2 krematoriume (ku u dogjën burra, gra, e fëmijë të gjallë);
– 8 varreza masive me gjithsej 241 civilë të vrarë; si dhe akoma rezultojnë të zhdukur 64 Krushjanë, përfshirë këtu edhe atdhetarin e shquar, filozofin e themeluesin ideologjik të UÇK-së, profesor Ukshin Hotin.

Dëmet fare s’po ju përmendim. Në Krushë të Madhe gjithçka dëshmon se ka pasur një gjenocid, por akoma askush nuk është dënuar.

Nuk ka gjykatë e prokurori që s`kemi trokitur e kërkuar drejtësi deri më sot. UNMIKU mblodhi dëshmitë kryesore tona, dhe jo që nuk ngriti asnjë padi, por edhe i zhduki dëshmitë. EULEX-i asnjëherë nuk u interesua seriozisht për të na mbështetur në padinë tonë ndaj shtetit serb. Përkundrazi, ata vinin dhe bënin presion në bashkëfshatar tanë që të dëshmojmë për krimet e supozuar të udhëheqësve e ushtarëve të UÇK-së, duke ofruar privilegje, para dhe akomodim jashtë vendit. Ne tashmë përsëri kemi grumbulluar me mijëra dëshmi, përfshirë krimet si dhe dëmet e luftës dhe ato i mbajmë në sirtarë , në pamundësi të padisim shtetin serb.

Të nderuar deputet,
i nderuar ministër i drejtësisë.

Duke pas parasysh se ju keni votën e popullit dhe keni qëndrimet “ tuaja “ se a do votoni apo nuk do votoni ndryshmet kushtetuese për gjykatën speciale, ne nuk do ju bëjmë presion se si të votoni, por paraprakisht keni obligim moral, juridik e Kombëtarë të na tregoni se çka të bëj ne me padinë tonë.
Gjykatat vendore nuk janë kompetente për ta bërë këtë, gjykatat ndërkombëtare jo që nuk e kanë bërë këtë, por tallen me ne qe 16 vite. Andaj, do ketë një tribunal për Krushën e Madhe apo duhet marrë drejtësinë ne në duart tona. Serbia neve na ka 241 gjaqe borxh.
Ju ndoshta i falni, por ne JOO!

Këshilli Kordinues për padi ndaj shtetit serb.