Kuçi: Konfiskimet e pronave në kohën e komunizmit do të kompensohen me ligj

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se konfiskimet e pronave në kohën e komunizmit dhe më herët do të kompensohen me ligj.

Lajme

22/06/2015 19:54

Ai këtë njoftim e ka bërë në tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me USAID-in, me rastin e fillimit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore, me ç’rast u diskutua për identifikimin e shtyllave tematike që përfshijnë një spektër të gjerë të sfidave lidhur me të drejtat pronësore.

“Hartimi i një ligji për kompensimin e pronave të nacionalizuara gjatë komunizmit është i nevojshëm, duke u bazuar në modelet e vendeve tjera që kanë adresuar këtë çështje” tha Kuçi

Ministri Kuçi, ka garantuar mbështetje të plotë gjatë këtij procesi, njëkohësisht duke pritur veprime konkrete nga akterët relevant në hartimin e strategjisë dhe definimin kohor për miratimin dhe implementimin e kësaj strategjie.

Ndërkaq, sipas ministrit Kuçi, strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore, drejtohet nga tri prioritete thelbësore që Kosova i ka vënë para vetes, dhe ato janë, fuqizimi i mëtutjeshëm i sundimit të ligjit, zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian.

“Strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore, drejtohet nga tri prioritete thelbësore, të ndërlidhura, që Republika e Kosovës i ka vënë para vetes: fuqizimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian”, tha ai.

Ndërkaq ai poashtu tha çdo qytetarë i Republikës së Kosovës ka nevojë për mbrojtje të jetës së tij me anë të ligjeve të mira, dhe mbrojtje të lirisë me anë të ligjeve të mira. Por, sipas ministrit qytetarët kanë nevojë edhe për ligjet që mbrojnë, përcaktojnë dhe definojnë qartë pronën e qytetarëve

“Qytetari i Republikës së Kosovës ka nevojë për mbrojtje të jetës së tij dhe për këtë kemi ligje të mira, ai ka nevojë për mbrojtje të lirisë së tij ku edhe për këtë kemi ligje të mira, por ai ka nevojë edhe për ligje që e mbrojnë, përcaktojnë dhe definojnë qartë pronën e tij”, u shpreh Kuçi.