Policia sllovene: Rasti i Haradinajt do të trajtohet sonte në gjykatën e Kranjit

Lirimi i kryetarit të AAK-së Ramush Haradinajt mund të ndodhë vetëm gjatë orëve të mbrëmjes.

Lajme

17/06/2015 16:17

Në një prononcim për lajmi.net zyra për informim e Policisë së Sllovenisë kanë konfirmuar arrestimin e Haradinajt në bazë të një fletarresti të Interpol-Serbia.

Zyrtari për informim i kësaj policie, Bojan Kos, ka thënë për lajmi.net se një shtetas i Kosovës është arrestuar dhe se procesi do të vazhdojë tutje te gjykatësi hetues në Gjykatën e Qarkut në Kranj sot pasdite.

Sipas tij, i gjithë procesi mund të përfundojë vetëm pas përfundimit të procedurave gjyqësore.

“Për arsye të konfidencialitetit të të dhënave personale, ne vetëm mund të konfirmojmë arrestimin e një shtetasi të Kosovës, i cili është i kërkuar nga Interpol Serbia. Personi është arrestuar sot në aeroportin e Lubjanës”.

“Lënda do të shkojë te gjykatësi hetues në Gjykatën e Qarkut të Kranjit sot pasdite për procedura të mëtejshme”, ka thënë Kos. (Lajmi.net)