PDK dega Skenderajt i bashkohet protestës kundër Gjykatës Speciale
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Skenderaj do të mbështet protestën e sotme të organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Lajme
Në një komunikatë për media, Dega e PDK-së në Skenderaj ka bërë me dije se do t’iu bashkohen shqetësimeve të qytetarëve në lidhje me dënimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe të kryetarit të degës së PDK-së, Sami Lushtaku.
Dega e PDK-së në Skenderaj vlerëson se protesta e sotme është shprehje e pakënaqësisë në lidhje me një proces gjyqësorë politik si pasojë e të cilit Lushtaku dhe ish-pjesëtarët e tjerë të UÇK-së janë dënuar pa fakte konkrete dhe mbi bazën e dëshmive të rrejshme të dëshmitarëve të mbrojtur.
“Ne përkrahim fuqishëm protestën e sotme si shprehje të indinjatës popullore në lidhje me përndjekjet që po u bëhen ish udhëheqësve më të lartë të luftës për liri të popullit të Kosovës. Ashtu siç kemi theksuar edhe në qëndrimet e më hershme, jemi të bindur së dënimet e shqiptuara me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë janë puro politike dhe me qëllim të diskredititimt dhe eliminimit nga skena politike të akterëve kryesorë të luftës çlirimtare, në këtë rast edhe të z. Lushtaku si Kryetar i Komunës së Skenderajt dhe si Kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj”, është thënë në komunikatën e PDK-së, Dega në Skenderaj.