Mbi 130 shqiptarë nga Shkupi, anëtarësohen në partinë e Zaevit

E pabesueshme por e vërtetë. Qytetarët shqiptarë nga Shkupi me të madhe kanë filluar të anëtarësohen në Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), të udhëhequr nga Zoran Zaev.

Lajme

16/06/2015 14:26

Kështu të paktën thotë funksionarja e lartë e LSDM-së, Lidija Dimova në një deklaratë ekskluzive për Agjencinë e lajmeve “Zhurnal”, ku bëri të ditur se mbi 130 qytetarë shqiptarë në Çair të Shkupit janë anëtarësuar në LSDM.

Ajo tha se pas publikimit të ‘bombave’ LSDM-ja në krye me Zoran Zaevin ka arritur simpati tek shumë qytetarë shqiptarë të cilët njësoj si maqedonasit janë tejet dëshpëruar nga këto parti në pushtet.

“Radhët e partisë tonë po rriten nga dita në ditë. Numri i anëtarëve të rinj rritet në mënyrë masovike në të gjitha qytetet e Maqedonisë. Ja për shembull vetëm në Çair kemi dhënë mbi 130 libreza të reja partiake. Anëtarët e rinj janë shqiptarë etnik. Kjo tani ka ndodhur”, ka deklaruar ekskluzivisht për “Zhurnal”, Lidija Dimova zyrtare e lartë në LSDM dhe udhëheqëse e Këshillit për eurointegrime.

Dimova në vazhdim tha se tani për tani nuk ka njohuri nëse anëtarët e rinj të LSDM-së të përkatësisë etnike shqiptare kanë qenë në ndonjërën prej partive ekzistuese shqiptare.