Gjilani merr çmimin “The best City Model Award”
Komuna e Gjilanit sot në panairin ndërkombëtar "Investment Management Exhibition" që po mbahet në Cyrih, ka marrë çmimin “The best City Model Award" nga ky asociacion ndërkombëtar.
Lajme
Gjilani me këtë çmim paraqitet si shembulli më i mirë për investime të huaja në rajon dhe kjo është vlerësuar si tejet e rëndësishme nga ana e kreut të Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili pranoi këtë çmim.
“I falënderoj organizatorët e këtij panairi ndërkombëtar për çmimin. Është shumë i rëndësishëm fakti që Gjilani është ranguar me Barcelonën dhe Cyrihun. Në këtë panair ne kemi krijuar një brend të ri për komunën që nuk e kanë bërë të tjerët dhe do të merret parasysh nga investitorët. Besoj dhe shpresoj shumë që do të ketë investime të mëdha në Gjilan, duke përmirësuar kualitetin e jetesës”, është shprehur Haziri, i cili ka zhvilluar disa takime me investitorët e huaj.
Haziri me këtë rast u ka ofruar investitorëve përkrahjen e plotë të tij, duke garantuar politika të favorshme fiskale.
Ai ka paraqitur disa projekte tejet të rëndësishme për investitorët, siç është infrastruktura, zhvillimi i qendrës së qytetit, përkatësisht rindërtimin e kësaj pjese të qytetit, ku gjenden tri objekte të mëdha kapitale që përfshijnë administratën publike, një objekt multikulturor, kinematë moderne e sallat e teatrit dhe hotelin me standarde të reja evropiane të hotelerisë etj.
Komuna e Gjilanit ishte përzgjedhur që në muajin tetor, pasi ka respektuar të gjitha kriteret zhvillimore komunale për të mbërritur në Cyrih, njofton shërbimi për informim i kësaj komune. /KosovaPress/