Festa e abetares në Ferizaj tubon fatosa nga Kosova e Shqipëria

Nxënës të klasave të para nga Ferizaj, Prishtina, Gjakova, Istogu, Kamenica dhe Kukësi janë tubuar të dielën në Ferizaj, në manifestimin tashmë tradicional të njohur si "Festa e abetares". Ky manifestim është organizuar nga MASHT-i dhe Drejtoria Komunale e Arsimit të Ferizajt, ndërsa përkon me kohën kur nxënësit e klasave të para përfundojnë mësimin e shkronjave.

Lajme

17/05/2015 13:58

Të pranishmëve me këtë rast u është drejtuar kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, i cili ka thënë se kjo festë secilin e kthen në kohën kur kishim përfunduar së mësuari shkronjat dhe kur mendonim se tashmë ishim bërë të dijshëm e të mençur, prandaj i shikonim të tjerët më me krenari.

“Ky besim fëmijëror ka një çmim të pamatur në jetën e pastajme, sepse kultivon vetëbesimin, ndjenjën se ke filluar rrugëtimin për t’i takuar botës së dijes e të arritjeve, që e çojnë njerëzimin përpara. Këtu zënë fill e kaliten ndjenjat e bashkëpunimit, mbështetjes reciproke, të zgjidhjes së problemeve në grup e në bashkësi. Këtu zënë fill e shpalosen premisat e talenteve, synimeve e ambicieve për arritje në jetë”, ka thënë ai.

Ndërkaq këshilltari i lartë i ministrit të Arsimit, Osman Belushkaj ka vlerësuar tejet lartë rolin e Festës së abetares.

Të pranishmit me një fjalë rasti i ka përshëndetur edhe përfaqësuesja nga qyteti i Kukësit, Teuta Selmani. Ajo tha se ndihet mjaft mirë që gjendet në qytetin e Ferizajt, për të kremtuar të gjithë së bashku Festën e abetares. Të pranishmit patën rastin të ndjekin edhe një program të pasur kulturo-artistik./Kosovapress/